Stokholm, 29 prill, Zhurnal.mk – Një operacion i gjerë policor i udhëhequr nga Suedia, në bashkëpunim me Europol dhe 10 vende evropiane, ka çuar në arrestimin e afro 300 personave të lidhur me krimin e organizuar, që operonin kryesisht në internet.
Operacioni, i nisur në prill 2025 dhe i quajtur “Grimm” synon të luftojë fenomenin në rritje të ashtuquajtur dhunë me porosi.
Ky model kriminal përfshin rekrutimin online të individëve, shpesh të mitur, dhe koordinimin e akteve të dhunshme përmes rrjeteve sociale, të cilat më pas realizohen në botën reale.
Sipas autoriteteve, gjatë vitit të parë të operacionit janë arrestuar 280 persona në mbarë botën, ndërsa është forcuar edhe bashkëpunimi me kompanitë e teknologjisë.
Më shumë se gjysma e të arrestuarve kanë lidhje me rrjetet kriminale suedeze.
Sipas raportimeve të SVT, mes tyre ka edhe fëmijë të moshës 10 deri në 12 vjeç.
Në Suedi, këta të mitur trajtohen nga shërbimet sociale për shkak se nuk mbajnë përgjegjësi penale.
Autoritetet theksojnë se rrjetet kriminale në Suedi përdorin një sistem të dobët strukturor për rekrutimin përmes rrjeteve sociale, duke shfrytëzuar të miturit si ofrues krimesh, pikërisht sepse janë nën moshën e përgjegjësisë ligjore.
Megjithatë, pavarësisht numrit të madh të arrestimeve, policia suedeze paralajmëron se fenomeni vazhdon.
“Rekrutimi i të rinjve në krimin e dhunshëm vijon”, thuhet në deklaratë.
Zyrtari i policisë, Theodor Smedius, theksoi se hetimet dhe ndjekjet penale nuk janë të mjaftueshme më vete dhe kërkoi një angazhim më të madh nga kompanitë e teknologjisë.
Gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar takime mes policisë dhe kompanive si Google, Meta, TikTok dhe Snapchat.
Sipas “Smedius”, disa platforma ende nuk janë përfshirë në dialog, ndërsa ai kërkoi që ato të përdorin më mirë mjetet e tyre për vetëmonitorim dhe pastrim të përmbajtjeve, me qëllim mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve.
Përveç Suedisë, në operacionin “Grimm ” morën pjesë edhe Belgjika, Danimarka, Franca, Finlanda, Gjermania, Islanda, Holanda, Norvegjia dhe Spanja.
