Tetovë, 3 maj Zhurnal.mk – Qytetarët e Tetovës shprehen se vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska”, nga shkolla e mesme e tekstilit deri te bulevardi “Ilinden”, është shumë i nevojshëm për shkak të komunikacionit të dendur, mungesës së trotuareve dhe rrezikut për këmbësorët, duke kërkuar që projekti të realizohet sa më shpejt.
-Është dashur moti të hapet, kanë ngelur vonë. Është shumë ngushtë, si me qenë rrugë fshati. Ne nëpër fshat i kemi rrugët e gjera, edhe nëpër shtëpi kur hyjmë i kemi gjerë. Tetë metra rrugë qyteti, shihe çka është, katastrofë.
-Duam të hapet. Nga komuna e Tetovës, kur është premtuar, nuk është hapur. Tash Bilalli ndoshta do të bëjë ndonjë lëvizje. Duhet, shkaku se unë udhëtoj shumë shpesh këtu te banjot. Është shumë e ngarkuar, s’ka trotuar, rrezik për këmbësorët, rrezik për njerëzit tjerë.
-Besoj se do të hapet shpejt. Dëgjojmë në portale, ka marrë iniciativë. Komunikacioni është shumë i dendur, do të na shpëtojë ne.
Nga komuna e Tetovës thonë se ky projekt mbetet prioritet për këtë vit dhe se tashmë janë bërë harmonizimet e planeve urbanistike dhe është përcaktuar gabariti i segmentit të fundit të bulevardit “Bllagoja Toska”. Zëvendëskryetari I komunës, Albi Qamili, thotë se janë në përfundim procedurat e elaboratit dhe pritet vlerësimi i pronave.
“Procedura e elaboratit është diku kah fundi, presim vlerësimet nga vlerësuesi i jashtëm dhe pas gjithë këtyre procedurave do të dilet edhe në terren me shpronësimin apo eksproprijimin e pronave që kapin këtë segment të bulevardit. Presim përfundimin e këtyre procedurave, jemi kah fundi. Presim vlerësimet, t’i bëjmë shpronësimet dhe menjëherë pastaj do të pasojë edhe hapja e furnizimit publik, me çka këtë vit besoj do të fillojnë punimet e vazhdimit të këtij bulevardi”, tha Albi Qaili.
Vazhdimi i këtij bulevardi është duke u premtuar për më shumë se 20 vite dhe ka qenë një ndër premtimet kryesore të thuajse çdo kryetari të komunës. Ky bulevard deri më tani është hapur fazë-fazë përgjatë këtyre 20 viteve, ndërsa pjesa që është paralajmëruar tani do të kompletonte të njëjtin për të shkarkuar komunikacionin në qendër të Tetovës.
