Tiranë, 29 korrik, Zhurnal.mk – Rajoni Nikaj-Mërturi, cilësohet si një nga thesaret më të vyera të Alpeve Shqiptare dhe zonë me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit malor.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Nikaj-Mërturi, duke e cilësuar këtë zonë si një nga thesaret më të çmuara të Alpeve Shqiptare, ku natyra e paprekur, peizazhet mbresëlënëse dhe mikpritja tradicionale u ofrojnë vizitorëve një përvojë unike.
Në postimin e tij, Rama theksoi rëndësinë e projektit ALPS, të mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit , i cili bëri bashkë administratorë të bujtinave, hoteleve dhe guida turistike për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të turizmit malor.
Sipas Ramës, dialogu me aktorët lokalë përbën një hallkë të rëndësishme në ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm zhvillimi, që synon të promovojë vlerat natyrore dhe kulturore të Nikaj-Mërturit, duke fuqizuar njëkohësisht ekonominë lokale dhe ofertën turistike të zonës.
Rama nënvizoi se valorizimi i potencialit të jashtëzakonshëm turistik të këtij destinacioni përmes bashkëpunimit me komunitetin vendas është çelësi për ta kthyer Nikaj-Mërturin në një prej pikave më tërheqëse të turizmit malor në Shqipëri.
Nikaj-Mërtur është një rajon i vogël historik në rrethin e Tropojës. Në aspektin administrativ, Nikaj-Mërtur i përket qarkut nën bashkinë Lekbibaj, krahas fshatit Rajë që i përket bashkisë së Fierzës. Në lindje kufizohet me bashkinë e Bujanit, me Thethin në veri, me Shalën dhe Shoshin në perëndim dhe në jug me Tropojën.
