Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është deklaruar pas miratimit të buxhetit të Kryeqytetit për vitin 2026, duke e cilësuar këtë vendim si dëshmi të qartë të lidershipit politik dhe funksionimit të demokracisë lokale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale,Rama ka shprehur mirënjohje për asamblistët e Kryeqytetit, të cilët, sipas tij, kanë treguar përgjegjësi publike dhe pjekuri politike në përputhje me pritjet e qytetarëve të Prishtinës.
“Miratimi i buxhetit të Kryeqytetit është imazhi më i qartë se si funksionon demokracia kur përfaqësuesit janë aty për të ndërtuar e jo për të bllokuar, për të marrë përgjegjësi e jo për të sabotuar”, ka shkruar Rama.
Ai theksoi se ky vendim paraqet dallimin mes politikave të së kaluarës, që sipas tij e mbanin Kryeqytetin peng, dhe një qeverisjeje që synon të ecë përpara me vizion, guxim dhe vendimmarrje të përgjegjshme.
Sipas tij, çlirimi i institucioneve nga kultura e bllokadës krijon hapësirë për planifikim serioz, investime strategjike dhe projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Ky buxhet nuk është vetëm një dokument financiar, por një deklaratë politike dhe një mesazh i qartë se Prishtina ka zgjedhur qeverisjen demokratike, përgjegjësinë dhe të ardhmen”, ka shkruar Rama.
Në fund, ai falënderoi edhe qytetarët e Prishtinës për besimin e dhënë përfaqësuesve të tyre dhe uroi që miratimi i buxhetit të shërbejë si bazë për zhvillim urban, mirëqenie dhe përmirësim të jetës në Kryeqytet.

