Ramadani kërkon hetim nga Prokuroria: Mbi gjysmë milioni euro në muaj po shpenzohen për të emëruarit politikë

Nga D. V.
516 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 19 gusht, Zhurnal.mk – Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po vazhdon me shkelje ligjore, kushtetuese dhe financiare, duke pretenduar se mbi gjysmë milioni euro nga buxheti i Kosovës shpenzohen çdo muaj për pagat dhe shpenzimet përcjellëse të të emëruarve politikë në institucionet qeveritare, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media, Ramadani tha se bëhet fjalë për 463 të emëruar politikë, përfshirë kabinetet, këshilltarët dhe shoferët, të cilët, sipas tij, kanë qenë të emëruar para zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Lëvizja Vendvendosje e Kosovën, ka zinxhir të shkeljeve, pra shkeljet edhe ligjore edhe kushtetuese edhe financiare janë në zinxhir, pra nuk po ndalen, dhe si të tillë sot kemi thirrë konferencën që përmes jush të ngrisim shqetësimin dhe alarmin për zhvatje buxhetore që po i ndodh Kosovës gjatë kësaj periudhe jo-kushtetuese. Dhe jemi duke folur për gjysmë milioni euro zhvatje vetëm për pagat e militantëve të lëvizjes vendvendosje në zyrat e qeverisë. Është e qartë se janë 463 të emëruar politikë në institucionet qeveritare, pra po flasim për kabinetet, këshilltarët, shoferët, etj., të cilët kanë qenë të emëruar ligjërisht para zgjedhjeve të 7 qershorit. Por sikurse është e qartë me kushtetutë në nenin 72 dhe në ligjin për qeveri, në nenin 26, ai i cili certifikohet si deputet dhe jep mandat betimin si deputet, nuk ka të drejtë të ushtrojë detyrën e ministrit në qeverinë e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, ky audit as nuk i punësuar nga këta ministra uzurpatorë tashmë, nuk kanë të drejtë të futen në zyrat e qeverisë”, tha ai.

Ramadani tha se vetëm pagat e këtyre të emëruarve arrijnë në rreth 486 mijë euro në muaj, ndërsa sipas tij, me shpenzimet për telefon, automjete, karburant dhe reprezentacion, shuma e përgjithshme e kalon gjysmë milioni euro.

“Shuma e përafërt e pagave të këtyre militantëve të lëvizjes vendvendosje në zyrat qeveritare është 486.150 euro në muaj, pra po flasim për shumën 486.150 euro në muaj, të cilave i shtohen edhe mbushjet e telefonave, i shtohen veturat e karburantit, i shtohet reprezentacioni e të tjera, dhe rrjedhimisht e kalon shifrën prej gjysmë milioni euro zhvatje të buxhetit të popullit të Kosovës. Në aspektin ligjor, nuk kanë fare të drejtë, është shkelje flagrante ata edhe ato s’kanë të drejtë fare as të futen në zyrat qeveritare, e në aspektin profesional as mos të flasim. Ka raste kur shoferët janë emëruar këshilltarë vetëm për t’iu rritur paga, dhe kjo pagë vjen në kurriz të popullit të Kosovës, në kurriz të buxhetit të popullit të Kosovës”, tha ai.

Ai kërkoi nga Prokuroria e Shtetit që të nisë hetim për këto pretendime dhe të identifikojë personat përgjegjës.

“Sa e sa të rinj e të reja kanë diplomuar dhe nuk kanë mundësi punësimi në Kosovë, derisa 463 të emëruar politikë që kanë qenë legal e sot janë ilegal paguhen nga buxheti i popullit të Kosovës. Ne ftojmë prokurorinë e shtetit që menjëherë qysh sot të merrë veprimet e nevojshme hetimore për të gjetur përgjegjësit dhe për t’i vendosur para drejtësisë këta që po e zhvatin buxhetin e popullit të Kosovës”, tha ai.

Ramadani e krahasoi shumën mujore të pagave të pretenduara me pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe zjarrfikësve.

“Dhe fjalia e famshme e cila po ndodh sot është gjakderdhja financiare. Pra pikërisht këta që e kanë ngritur këtë fjali në publik sot në mënyrë tepër të qartë po bëjnë gjakderdhje financiare në Kosovë. Kjo është shumë prej gjysmë milioni, po e bëj pak me krahasim, është e barabartë me pagën që e marrin 769 policë në Kosovë. Ose me pagën që e marrin 862 ushtarë në Kosovë. Ose me pagën që e marrin 909 zjarrfikës në Kosovë”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër