Raporti i Këshillit të Evropës, BE-ja kërkon fundin e sulmeve ndaj mediave

Nga D. V.
980 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 20 korrik, Zhurnal.mk – Shefi i Sektorit Politik të Bashkimit Evropian në Kosovë, Boguslaw Gertruda, ka bërë thirrje që zyrtarët publikë të përmbahen nga sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve.

Deklarata e tij u bë gjatë lansimit të raportit të Platformës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës.

“Zyrtarët publikë duhet të përmbahen nga sulmet ndaj medias dhe gazetarëve”, ka thënë Gertruda, duke theksuar rëndësinë e një ambienti të sigurt për punën e gazetarëve.

Ai ka kërkuar gjithashtu konsultime më të gjera gjatë hartimit të ligjeve të reja për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) dhe Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

“Duhet të ketë konsultime të gjera për ligjet e reja që lidhen me KPM-në dhe RTK-në, në mënyrë që proceset të jenë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, është shprehur ai.

Gertruda ka theksuar edhe nevojën për më shumë transparencë në lidhje me pronësinë e mediave, duke e cilësuar këtë si një element të rëndësishëm për forcimin e lirisë së shprehjes dhe besimit të publikut.

“Transparenca më e madhe e pronësisë së mediave është thelbësore për një ekosistem të shëndetshëm mediatik”, ka deklaruar shefi i Sektorit Politik të BE-së në Kosovë.

Bashkimi Evropian vazhdon të vlerësojë mbrojtjen e gazetarëve, lirinë e medias dhe qasjen në informim si pjesë të rëndësishme të standardeve demokratike dhe procesit të integrimit evropian të Kosovës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër