Shkup, 30 tetor, Zhurnal.mk – Gjykata ka vendosur masa kujdesi ndaj nëntë personave të dyshuar në kuadër të rastit “Sante Plus”, që ka të bëjë me dyshimet për parregullsi dhe keqpërdorime në faturimin e operacioneve të syve në këtë spital privat. Sipas hetimeve, dëmi i shkaktuar Fondit për Sigurim Shëndetësor arrin në rreth 1.7 milionë euro.
Me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, gjykata ka miratuar dy masa ndaj të dyshuarve: marrjen e përkohshme të dokumenteve të udhëtimit dhe obligimin për t’u paraqitur rregullisht në gjykatë.
Hetimet për këtë rast u intensifikuan pas aksionit policor të 29 tetorit, i zhvilluar në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, ku u arrestuan tetë persona. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal ndaj gjithsej 11 personave fizikë dhe një subjekti juridik.
Sipas dyshimeve të paraqitura në kallëzimin penal, dy ish-drejtorë të Fondit për Sigurim Shëndetësor, në bashkëpunim me persona përgjegjës të spitalit privat, gjatë vitit 2020 kanë lidhur marrëveshje duke mos respektuar procedurat dhe rregulloret e brendshme të Fondit.
Dyshohet se spitali ka faturuar shërbimet e njëjta në dy drejtime, fillimisht te Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe më pas edhe te vetë pacientët. Këtyre të fundit, përveç bashkëpagesës së paraparë me ligj, u është kërkuar të paguajnë edhe shumën e plotë sipas çmimeve private, pa u njoftuar se ndërhyrjet mbuloheshin edhe nga Fondi.
Sipas të dhënave të bëra publike nga MPB-ja, dëmi i dyshuar ndaj Fondit arrin në 104.8 milionë denarë, ose afërsisht 1.7 milionë euro. Nga ana tjetër, spitali dyshohet se ka realizuar përfitime të kundërligjshme në vlerë prej rreth 4.25 milionë eurosh gjatë viteve 2022–2025.
Dyshimet për faturim të dyfishtë përfshijnë edhe një numër të konsiderueshëm pacientësh. Sipas vlerësimeve të MPB-së, nga këto veprime mund të jenë dëmtuar rreth 3.000 deri në 4.000 persona.
