Reagim i AUV: 10 vatra të reja të sëmundjes së lëkurës tek delet dhe dhitë, nuk ka rrezik për njerëzit

Nga I.A
647 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 korrik, Zhurnal.mk – Në Maqedoni janë konfirmuar 10 vatra të reja të sëmundjes së lëkurës (sypanicës) tek delet dhe dhitë, me ç’rast numri i përgjithshëm i vatrave të regjistruara që nga fillimi i vitit ka arritur në 17, me mbi 2.700 kafshë të ndjeshme ndaj infeksionit. Sipas Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), rastet e reja janë evidentuar në Sasa (Makedonska Kamenica), Sokolarci (Çeshinovo–Oblleshevo), Biglla dhe Kosevicë (Dellçevë), Malinë (Sveti Nikollë), Sopot (Kumanovë), si dhe në fshatin Cera.

Institucioni thekson se sëmundja nuk paraqet rrezik për njerëzit, por shkakton pasoja serioze në blegtorinë. “Sypanica tek delet dhe dhitë nuk transmetohet te njerëzit. Të gjitha masat që ndërmerren kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të infeksionit dhe mbrojtjen e fondit blegtoral”, informojnë nga AUV.

Deri më tani janë depopuluar (asgjësuar) mbi 1.400 kafshë, ndërsa procedura vazhdon edhe në vatrat e sapokonfirmuara, menjëherë pas sigurimit të lokacioneve të përshtatshme për asgjësimin e tyre të sigurt. Gjatë ditës së djeshme u krye depopulimi edhe në fermën e infektuar në fshatin Sopot, Kumanovë.

AUV ka vendosur një sërë masash mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Ndalohet lëvizja dhe transporti i deleve dhe dhive në zonat e mbrojtura, përveç rasteve të kontrolluara rreptësisht për therje në thertore të miratuara. Gjithashtu, në të gjithë territorin e shtetit ndalohet puna e tregjeve të gjësë së gjallë për dele dhe dhi, si dhe organizimi i ekspozitave dhe tubimeve të tjera të këtyre kafshëve.

“Pronari është i detyruar që çdo dyshim për sëmundje ose ngordhje të kafshëve ta raportojë brenda 24 orëve te shoqëria veterinare kompetente ose te veterineri zyrtar”, apelojnë nga AUV.

Blegtorët janë të obliguar të zbatojnë masa të rrepta biosigurie – kufizim të lëvizjes së personave dhe automjeteve, dezinfektim të detyrueshëm, përdorim të pajisjeve mbrojtëse dhe mbajtje të evidencës për të gjitha hyrje-daljet në fermë.

Agjencia sqaron se qumështi i papërpunuar dhe produktet nga qumështi i deles dhe dhisë në zonat e mbrojtura mund të dalin në treg vetëm pas trajtimit të duhur termik (pasterizimit).

Ndërkohë, një grup ekspertësh i AUV po analizon gjendjen aktuale dhe mundësinë e vaksinimit eventual si masë shtesë në luftën kundër sëmundjes.

“Ne e ndjekim vazhdimisht situatën epidemiologjike dhe shqyrtojmë të gjitha mundësitë për menaxhim më efikas të sëmundjes, përfshirë edhe aplikimin eventual të vaksinimit”, njofton AUV.

Sipas të dhënave zyrtare, vatra e parë e vitit u konfirmua në fund të janarit në fshatin Llopate, dhe prej atëherë sëmundja është përhapur në disa komuna të pjesës lindore dhe verilindore të vendit. Agjencia përsërit thirrjen drejtuar blegtorëve që të respektojnë rreptësisht të gjitha masat e përcaktuara për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksionit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër