Prishtinë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Ambasada Britanike në Prishtinë ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke bërë thirrje për qetësi dhe reagime paqësore.
Ministri britanik për Evropën, Lord Wood of Anfield, tha se Mbretëria e Bashkuar “respekton pavarësinë e Gjykatës dhe procesin e saj gjyqësor” dhe mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në rajon.
Ai theksoi se aktgjykimi “nuk është një gjykim për shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj.”
Sipas tij, gjetjet e Gjykatës kanë të bëjnë me individë dhe “nuk duhet të përdoren për të nxitur tensione mes komuniteteve apo në të gjithë rajonin.”
“Udhëheqësit politikë dhe figurat publike kanë përgjegjësi të promovojnë qetësinë, të sigurojnë që çdo reagim të mbetet paqësor dhe të vendosin sigurinë e njerëzve në radhë të parë”, deklaroi Lord Wood.
Ambasada britanike shtoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë me partnerët në rajon për të mbështetur paqen, drejtësinë dhe një të ardhme të sigurt e të begatë për të gjitha komunitetet.
