Rekonstruktimi i Qeverisë në rend dite në Kuvend – sot votohet për shkarkimin dhe emërimin e ministrave të rinj

Nga I.A
868 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 korrik, Zhurnal.mk – Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet të mbajë sot seancën e 112-të, në rendin e ditës të së cilës janë propozimet për shkarkimin e ministrave dhe zëvendësministrave, si dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të Qeverisë.

Seanca zhvillohet në kuadër të rekonstruktimit të paralajmëruar prej kohësh të Qeverisë. Me propozim të kryeministrit Hristijan Mickoski, deputetët do të votojnë për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov nga ZNAM, ndërsa në vend të tij është propozuar Jeton Shasivari nga koalicioni VLEN.

Propozimet e Qeverisë për shkarkimin e ministrave

Ivan Stoilkoviq, kryetar i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoninë e Veriut, propozohet të shkarkohet nga posti i ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, ndërsa pritet të marrë detyrën e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale.

Ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, do të shkarkohet nga kjo detyrë dhe pritet të emërohet drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor. Në vend të ministrit aktual të Shëndetësisë, Azir Aliu, pritet të zgjidhet drejtori aktual i Fondit, Sasho Klekovski.

Për ministër të Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive është propozuar Agon Ferati nga VLEN.

Cvetan Tripunovski do të shkarkohet nga posti i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ndërsa në vend të tij është propozuar Borçe Serafimovski nga ZNAM.

Fatmir Limani pritet të shkarkohet nga posti i ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa këtë funksion do ta marrë Gjoko Velkovski nga VMRO-DPMNE.

Gjithashtu, Zoran Ljutkov pritet të shkarkohet nga posti i ministrit të Kulturës dhe Turizmit, ndërsa për këtë funksion është propozuar Sedat Sulejmani nga VLEN.

Në vend të ministrit pa resor, Shaban Saliu, është propozuar Erxhan Demir nga VMRO-DPMNE.

Kuvendi do të vendosë për përbërjen e re të Qeverisë

Gjatë seancës pritet që kryeministri Hristijan Mickoski të arsyetojë propozimet për ndryshimet në përbërjen e kabinetit qeveritar, të cilat i ka paralajmëruar prej një kohe më të gjatë.

Sipas Rregullores së Kuvendit, pas paraqitjes së propozimit për shkarkimin e një anëtari të Qeverisë hapet debat, i cili mund të zgjasë deri në dy ditë. Ministri për të cilin është paraqitur propozimi për shkarkim ka të drejtë të deklarohet lidhur me propozimin për një periudhë deri në 15 minuta.

Ministrat e rinj zgjidhen me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Ndërkohë, kandidat për ministër të Bujqësisë nga radhët e ZNAM, Borçe Serafimovski, veçohet për formimin e tij akademik. Ai ka përfunduar studimet universitare, studimet pasuniversitare dhe doktoraturën në Bullgari.

Ndërkaq, kandidati për ministër të Kulturës, Sedat Sulejmani, ka qenë aktiv në sektorin civil, ndërsa më herët ka ushtruar detyrë edhe në Ministrinë e Kulturës gjatë qeverisë së kaluar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër