“Rheinmetall”nis prodhimin e dronëve kamikazë

Nga D. V.
516 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Dyseldorf, 12 maj Zhurnal.mk – Gjiganti gjerman i industrisë së mbrojtjes “Rheinmetall” ka nisur prodhimin e dronëve kamikazë, konfirmoi sot drejtori ekzekutiv i kompanisë, Armin Papperger, gjatë mbledhjes vjetore të aksionarëve.

“Po fillojmë tani prodhimin në seri të këtij sistemi në uzinën tonë në Neuss,” deklaroi Papperger, duke iu referuar një droni që mund të qëndrojë në ajër deri në 70 minuta përpara se të përplaset me objektivin dhe të shpërthejë.

Një zëdhënës i “Rheinmetall” tha se modeli po prodhohet tashmë në një fabrikë në Braunschweig dhe se kompania është pranë zgjerimit të prodhimit edhe në uzinën e Neussit.

Fabrika më parë prodhonte pjesë automobilistike, por kompania po tërhiqet gradualisht nga biznesi i saj në vështirësi i furnizimit për automjete.

Sipas planit, uzina në Neuss do të përdoret në të ardhmen për prodhimin e pajisjeve ushtarake, përfshirë dronët e modelit FV-014.

Ushtria gjermane, Bundeswehr, ka bërë së fundmi një porosi prej 300 milionë eurosh, me mundësi për porosi të tjera shtesë. Dorëzimet e para pritet të nisin vitin e ardhshëm.

Sipas ‘Rheinmetall”, dronët kanë një rreze veprimi deri në 100 kilometra, ndërsa koka luftarake me detonator peshon rreth katër kilogramë.

Mjeti fluturues përdoret vetëm një herë dhe klasifikohet si “municion patrullues”, pasi mund të qëndrojë në ajër në pritje të objektivit përpara se të godasë.

Kompania tha gjithashtu se dronët mund të përdoren jo vetëm për sulme, por edhe për misione zbulimi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër