Kërçovë, 10 korrik Zhurnal.mk – Gjatë vizitës në Komunën e Kërçovës, euroambasadori Mihalis Rokas u njoh nga afër me vështirësitë me të cilat përballet ky rajon, në një periudhë që ai e cilësoi të rëndësishme për aspiratat e vendit drejt Bashkimit Evropian. Ai rikujtoi edhe projektet e shumta që janë zbatuar dhe që vijojnë të realizohen në këtë zonë me financim evropian.
Në takimet me kryetarin e Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, dhe me këshillin komunal, bisedat u fokusuan te përfitimet që sjell anëtarësimi në BE, si edhe te efekti i ndihmës financiare të Unionit në këtë rajon.
I pyetur nga gazetarët për mungesën e përmbajtjeve për të rinjtë në këtë vend, Rokas tha se kjo çështje duhet trajtuar bashkërisht dhe me një qasje gjithëpërfshirëse. Sipas tij, në të kundërtën, rritet edhe më tej vala e migrimit.
“Është e vërtetë se nëse të rinjtë nuk kanë opsione të tjera, nuk kanë kinema, nuk kanë salla sportive, nuk kanë vend ku do të zbaviten, përveç kazinove dhe bastoreve, mendoj që nuk u mbetet gjë tjetër pos të migrojnë, që është një çështje tjetër shumë e madhe sociale. Qeveria duhet të punojë që të gjejë zgjidhje, t’i japë përgjigje kësaj. Bashkimi Evropian jep nëpërmjet masave për rini. Mundohet që të sigurojë gjithashtu arsimim cilësor për të rinj. Bashkimi Evropian punon me Ministrinë e Arsimit, me qëllim që të përgatiten ligje të mira të cilat gjithashtu do të mundësojnë kushte të mira për arsim. Këtu e kemi edhe ERASMUS+, gjithashtu u ndihmon sipërmarrësve të rinj për hapjen e START AP-ve të ndryshme.”, – deklaroi euroambasadori, Mihalis Rokas.
Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, tha se prania e Rokas përcjell një mesazh të qartë për bashkëpunim dhe mbështetje.
“Me vetë prezencën e tij, zotëri Rokas më solli mesazh, gjithashtu edhe BE-ja përcjell mesazh ndaj nesh si komb, si shtet, si komunë, një dorë të shtrirë për bashkëpunim të përbashkët, përparim të raporteve tona, ndihmë të përbashkët dhe përmirësimin e jetesës në komunën tonë dhe në përgjithësi në shtetin tonë.”, – theksoi kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski.
Qëndrimi i euroambasadorit Rokas në Kërçovë është pjesë e një nisme informuese, e cila synon ta afrojë më shumë Bashkimin Evropian dhe procesin e integrimit të vendit me komunitetet lokale. Në kuadër të kësaj vizite, ai zhvilloi takim edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe mori pjesë në një diskutim të hapur me qytetarët e Kërçovës.
