Kumanovë, 26 korrik Zhurnal.mk – Pavarësisht paralajmërimeve të Komunës së Kumanovës dhe Inspektoratit Komunal për lirimin e hapësirave publike, veturat e braktisura vazhdojnë të mbeten në rrugë, parkingje dhe trotuare, duke krijuar probleme për qytetarët dhe komunikacionin.
Sipas të dhënave, në qytet ndodhen rreth 70 automjete jashtë funksionit, të cilat zënë vende parkimi dhe hapësira publike, ndërsa në disa raste pengojnë edhe lëvizjen e këmbësorëve.
Edhe pse muaj më parë Komuna u bëri thirrje pronarëve që t’i largonin automjetet e braktisura, duke paralajmëruar gjoba dhe largim nga ana e institucioneve, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret. Si pasojë, automjetet vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat lokacione.
Qytetarët shprehen të revoltuar, duke theksuar se mungesa e vendeve të lira për parkim është bërë edhe më e theksuar gjatë sezonit veror, kur në qytet vijnë mërgimtarët dhe numri i automjeteve rritet ndjeshëm.
“Autoritetet lokale duhet ta trajtojnë më seriozisht problemin e parkingut dhe të krijojnë kushte më të mira, veçanërisht gjatë verës kur qyteti ka fluks më të madh të automjeteve”, tha një banor.
Banori i Kumanovës, Jeton Ismaili, vlerëson se një pjesë e konsiderueshme e vendeve të parkimit mbeten të zëna nga automjete që nuk janë në përdorim, shkruan Portalb.mk
“Mund të qarkullosh për 15 minuta dhe të mos gjesh vend parkimi. Situata është edhe më e rëndë gjatë verës, kur numri i veturave pothuajse dyfishohet. Ajo që shqetëson më shumë është se institucionet nuk po ndërmarrin masa,” u shpreh ai.
Edhe Bunjamin Osmani kërkon veprime konkrete nga autoritetet, duke theksuar se apelet nuk mjaftojnë.
“Duhet të shënohen automjetet e braktisura, të caktohen afate për largimin e tyre, të gjobiten pronarët dhe, nëse nuk veprojnë, automjetet të hiqen nga hapësirat publike. Në të kundërt, Kumanova po shndërrohet në një parking të madh të veturave të braktisura,” tha ai.
Komuna e Kumanovës nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve lidhur me arsyet pse automjetet ende nuk janë larguar.
Kujtojmë se Komuna kishte nisur më herët një aksion për largimin falas të automjeteve të dëmtuara, por sipas ndërmarrjes “Kumanovo-Parking”, interesimi i qytetarëve ishte i ulët.
Ndërkohë, edhe hapësira prapa objektit të Gjykatës Themelore, pranë Stacionit Policor në Kumanovë, ku ndodhen automjete të vjetra të grumbulluara prej kohësh, vazhdon të mbetet e papastruar, megjithëse Inspektorati Komunal kishte premtuar pastrimin e saj.
