Prishtinë, 25 maj, Zhurnal.mk – Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 6 vota për, ka zgjedhur kryesues të KGJK-së, Rrustem Thaqin, raporton Ekonomia Online.
Mandati i tij do të jetë tre vjeçar dhe do të filloj nga sot.
Kundërkandidati i tij, Besnik Bislimaj i mori pesë vota.
Në votim morën pjesë 11 anëtarë.
Sikurse në konkursin e kaluar, në garë ishin dy kandidatët e njëjtë Besnik Bislimaj- gjyqtar nga Gjykata e Apelit dhe Rrustem Thaqi, gjyqtar nga Gjykata Supreme.
Ndryshe, dy kandidatët nuk mbajtën fjalim para votimit, pasi kishin paraqitur vizionet e tyre në procesin e kaluar.
Fillimisht, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 12 mars shpalli konkurs për kryesues të ri, i cili ishte i hapur deri më 26 mars 2026. Por, më 30 prill dështoi zgjedhja e kryesuesit pasi dy kandidatët morën nga pesë vota, kështu u rishpall konkursi.
Mandatin e kryesuesit i fundit e ka mbajtur gjykatësi nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Albert Zogaj.
