Rushiti tregon pse pranoi të jetë kandidate për presidente

Nga D. V.
296 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 29 prill, Zhurnal.mk – Kandidatja për presidente e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushiti, tha se e ka pranuar kandidaturën me qëllim tejkalimin e krizës politike dhe nxitjen e dialogut ndërmjet partive, pas dështimit të zgjedhjes së presidentit, raporton Ekonomia Online.

Ajo theksoi se kandidatura e saj nuk ka qenë ambicie për pushtet, por përpjekje për të kontribuar në stabilizimin e institucioneve.

“Pranova propozimin për kandidate, si presidente e vendit, me bindjen se jam një figurë e cila është ndikuese, përfaqëson shoqërinë civile dhe mund ta ndihmojë vendin ta tejkalojë këtë krizë aktuale politike. Po ashtu edhe ta nxisë dialogun në mes partive politike”, tha ajo.

Rushiti deklaroi se kërkesa për kandidimin e saj ka ardhur nga qytetarë dhe grupe të ndryshme shoqërore, si dhe nga përfaqësues politikë.

“Kërkesa për presidenten e vendit, më parë nga shumë qytetarë, nga anëtarë të shoqërisë civile, nga të mbijetuarat e dhunës seksuale, dhe viktimat e luftës. E së fundi po ashtu edhe nga partitë në pushtet, nga ata për ne, dhe së fundi nga kryeministri i vendit”, tha ajo.

Ajo shtoi se e ka pranuar këtë përgjegjësi pas diskutimeve me kryeministrin, duke e konsideruar veten figurë gjithëpërfshirëse dhe të pavarur.

“Duke menduar që dalja ime në skenë është një figurë gjithëpërfshirëse, një figurë e cila në historinë e saj ka kontribuar në kauza të cilat i kanë kontribuar vendit. Pas diskutimit të gjatë me kryeministrin, e kam marrë këtë përgjegjësi, me bindje të plotë se do jem një nga kandidatët e cila është kërkuar jo vetëm nga qeverisja aktuale por edhe nga partitë opozitare dhe jam person plotësisht i pavarur, jo politik, jo partiak, dhe nga shoqëria civile”, tha ajo.

Ajo theksoi se kandidimi i saj synon stabilizimin institucional dhe tejkalimin e ngërçit politik në vend.

“Pranova ta marr këtë post për me tejkalu edhe veten, për hir të një qëllimi të madh, stabilizimin e institucioneve dhe ecjes së Kosovës përpara. Dua t’ju bëj të qartë se ky kandidim nuk ka qenë ambicie as aspiratë për pozicion, e as për pushtet. Ka qenë vetëm një përpjekje e sinqertë, një kontribut për vendin tim, si person jo partiak që t’i jap një mundësi zgjidhjes së ngërçit politik që aktualisht po kalon vendi”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër