Pezullohet greva, punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë u dalin pagat

Nga D. V.
449 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 20 maj, Zhurnal.mk – Greva e punëtorëve teknikë të disa shkollave në Prishtinë është pezulluar deri më 25 maj, raporton Ekonomia Online.

Këtë e ka bërë të ditur Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi i cili sot ka mbajtur mbledhje me kryetarët e shoqatave të Sindikatës të punëtorëve teknik të shkollave të Komunës së Prishtinës  ku edhe u bë e ditur se është pezulluar greva pasi punëtorët sot kanë pranuar pagat e tyre.

Greva është pezulluar deri me datën 25 maj, ndërsa është paralajmëruar se nëse nuk lidhin kontratat e punës deri me këtë datë, ata do ta ndërpresin punën.

Jusuf Azemi tha se greva e mbajtur dje ka pasur efektet e saj pasi pagat e punëtorëve janë ekzekutuar sot, duke potencuar se efektet e veprimeve sindikale kishin efekt.

“Përparim Rama i qiti paret sot kryetari i Prishtinës. Realisht kërkesa jonë që ka qenë pagesa e pagës për prill dhe pjesa tjetër për maj është realizuar dhe ne sot në bazë të konsultimeve me kolegët e mi e pezullojmë grevën deri më datën 25 maj sepse gjatë kësaj periudhe tani kemi edhe kërkesa të tjera për të cilat ju kemi dhënë pesë ditë afat. Kërkesat tjera janë: nëse deri më datën 25 këta punëtorë nuk kanë kontrata të punës atëherë ne në mënyrë automatike pa paralajmërim do ta ndërpremë punën sepse ne nuk kemi kontrata pune. Në komunikim e sipër edhe me komunë edhe me disa pronarë të kompanive të cilët janë deklaruar që ata tani e tutje do të jenë nën menaxhim të këtyre punëtorëve më është thënë që e premtja do të jetë dita e fundit që do të jepen kontratat e punës, megjithatë ne iu kemi dhënë afat deri të hënën dhe nuk po i themi Komunës së Prishtinës faleminderit sepse e ka pas obligim”, ka thënë Azemi.

“Kërkesa e punëtorëve grevist është realizuar në përpikëri”, ka shtuar Azemi.

Në grevën e djeshme kishin hyrë punëtorët teknikë të shkollave: “Dardania”, “Asim Vokshi”, “Gjergj Fishta”, “Ismail Qemali”, “Hasan Prishtina” e shkolla të tjera në kryeqytet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër