Bruksel, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dënoi sot shkeljet e rënda të hapësirës ajrore të Polonisë, duke i cilësuar ato si një incident të rrezikshëm, që lidhet me luftën e vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës.
Në një deklaratë, Rutte bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë me kryeministrin polak, Donald Tusk, lidhur me incidentet e ndodhura gjatë natës.
Si kundërpërgjigje ndaj shkeljeve, u mobilizuan avionë luftarakë të NATO-s, për të garantuar mbrojtjen e hapësirës ajrore.
Ai shprehu solidaritetin e Aleancës me Poloninë dhe theksoi se NATO-ja do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj të parandalimit dhe mbrojtjes.
Rutte nënvizoi se incidenti duhet parë në kontekstin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke dënuar si sulmet ruse, ashtu edhe vazhdimin e agresionit ushtarak.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar si aleatë dhe të mbështesim Ukrainën”, deklaroi kreu i NATO-s.

