Shkup, 10 gusht, Zhurnal.mk – Aktiviteti i deputetëve, pyetjet e tyre, puna me qytetarët dhe të dhëna të tjera për punën parlamentare tashmë janë më të qasshme përmes platformës së re digjitale “Pratenici.mk”, të zhvilluar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSCS).
Platforma synon që të dhënat e hapura dhe komplekse të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut t’i bëjë më të kuptueshme dhe më të lehta për përdorim nga qytetarët, gazetarët dhe studiuesit.
Në vend që përdoruesit të kërkojnë në baza të ndryshme të të dhënave, përmes “Pratenici.mk” ata mund të kërkojnë, filtrojnë dhe krahasojnë në një vend të vetëm informacione të lidhura me punën e Kuvendit dhe deputetëve.
Platforma mundëson ndjekjen e pyetjeve të deputetëve, aktivitetet e tyre parlamentare, punën e zyrave për kontakt me qytetarët, si dhe tregues të tjerë që lidhen me veprimtarinë e përfaqësuesve të zgjedhur.
Një nga veçoritë e rëndësishme të platformës është se të dhënat nuk janë një bazë e re e krijuar nga organizata, por janë marrë nga të dhënat zyrtare të hapura të publikuara nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Pratenici.mk” është krijuar për të gjithë ata që duan të arrijnë shpejt dhe lehtë te informacionet relevante për punën e përfaqësuesve të zgjedhur.
“Paneli interaktiv përdor bazat e hapura të të dhënave të disponueshme në portalin open.data të Kuvendit dhe ofron mundësi për përdorimin, kërkimin dhe vizualizimin e tyre në një mënyrë të thjeshtë dhe intuitive”, thotë Aleksandra Jovevska, drejtuese e Qendrës për Mbështetje Parlamentare dhe Demokratizim në IDSCS.
Nga Instituti për Demokraci theksojnë se qëllimi nuk është vetëm publikimi i të dhënave, por edhe krijimi i mundësive që qytetarët t’i përdorin ato në mënyrë praktike.
Sipas tyre, të dhënat e hapura kanë vlerë të vërtetë kur janë të kuptueshme, të qasshme dhe të përdorshme për publikun.
Platforma paraqet një mjet të dobishëm veçanërisht për gazetarët dhe studiuesit, të cilët përmes kërkimit dhe krahasimit të të dhënave mund të arrijnë më lehtë te informacionet për aktivitetin parlamentar.
Në të njëjtën kohë, “Pratenici.mk” u mundëson edhe qytetarëve të kontrollojnë më lehtë se çfarë bëjnë përfaqësuesit e tyre të zgjedhur dhe sa aktivë janë në punën e Kuvendit.
“Pratenici.mk” është zhvilluar në kuadër të projektit “Të dhënat e hapura të Kuvendit në praktikë: Nxitja e pjesëmarrjes qytetare”, me qëllim rritjen e transparencës dhe përdorimit praktik të të dhënave parlamentare.
