Kamionistët sërish në bllokada të kufijve? Problemi me qëndrimin e kufizuar vazhdon t’u shkaktojë probleme

Nga D. V.
722 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 gusht, Zhurnal.mk – Transportuesit nga Maqedonia sërish përballen me probleme me qëndrimin e kufizuar në vendet e Bashkimit Evropian. Edhe pse më herët ishte arritur një marrëveshje, ata thonë se ajo nuk respektohet fare dhe se nga shtatori, kur u skadon qëndrimi i lejuar në vendet e zonës Shengen, shumë prej tyre do të përballen me problemin se nuk do të mund të hyjnë në Bashkimin Evropian.

Me këtë problem nuk përballen vetëm transportuesit e vendit, por edhe ata të rajonit, si Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi.  Biljana Muratovska nga Makam Trans deklaroi për TV21 se nesër, në një takim të përbashkët, do të ndërtojnë një qëndrim se çfarë masash do të ndërmarrin, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që sërish të organizohen bllokada të kufijve. Këtë herë ato mund të jenë edhe më radikale, me bllokimin e të gjitha pikave kyçe në Ballkanin Perëndimor, me çka do të ndalej edhe furnizimi ndërmjet BE-së dhe Evropës Juglindore.

 “Gjithçka është e mundur, pra nuk është asgjë jashtë marrëveshjes, megjithatë do të shohim se si do të zhvillohen gjërat. Edhe nesër mblidhemi, secili nga ana e tij, me përvojat që ka në terren, që të mund të ndërtojmë një strategji më të mirë se ajo që kemi për momentin. Sepse të gjithë kemi, në njëfarë mënyre, raste të ndryshme”, tha Biljana Muratovska – Makam Trans.

Problemi zgjat që nga tetori i vitit të kaluar, kur Bashkimi Evropian filloi të zbatojë dispozitat kufizuese për qëndrimin edhe për kamionistët nga vendet jashtë BE-së. Edhe pse në prill të këtij viti u arrit një marrëveshje, e cila parashikonte fshirjen e ditëve të kaluara më parë në vendet e Shengenit, shoferët thonë se kjo nuk zbatohet.

 “Tek ne ka raste që në disa pika kufitare shfaqen ditë të gabuara, të cilat shoferët i kanë të lira, sipas sistemit elektronik. Këtë e kemi raportuar dhe e kemi dërguar gjithashtu në Bruksel. Për shembull, në Kroaci u thonë se kanë edhe 15 ditë, ndërsa në Hungari u thonë se kanë edhe 10 ditë, që është ndryshe”, theksoi Biljana Muratovska – Makat Trans.

Në fillim të këtij viti, transportuesit nga rajoni organizuan bllokada në kufij, me çka u ndal transporti i kamionëve nëpër Ballkanin Perëndimor. Pas disa negociatave u arrit një marrëveshje e caktuar, e cila nuk është zgjidhje e përhershme, por u dëshmua se edhe ajo nuk respektohet.

Pak kohë më parë, ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, deklaroi se Maqedonia po e zgjidh në mënyrë të pavarur rregullin 90/180, i cili ka të bëjë me qëndrimin e shoferëve në BE. Në korrik, ai deklaroi se ky problem është zgjidhur me tetë shtete, ndër të cilat Zvicra, Kroacia, Rumania, Bullgaria dhe Greqia, ndërsa marrëveshja me Slloveninë, Austrinë dhe Gjermaninë ishte në fazën përfundimtare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër