Sa më shumë goditet bixhozi e fajdexhinjtë legal aq më shumë mbrohet shoqëria!

Nga I.A
4,160 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 qershor, Zhurnal.mk – Lojërat e fatit kudo në botë janë vendet ku shkatërrohet bërthama e shoqërisë së shëndoshë. Sado që paraqiten si vende argëtimi për njerëzit e pasur shpesh shndërrohet në grackë për kategorinë e varfër. Ku shihet si tentim për të shpëtuar nga varfëria e kapluar e përfundon në thellim e fundosje pa shpëtim. Partitë politike shpesh herë e trajtojnë këtë fenomen në fushata por pas tyre humbet ky diskutim. Lufta kundër bixhozit e fajdexhinjve legal është betejë për ta mbrojtur shoqërinë, shkruan Zhurnal.


Ligji i ri për lojërat e fatit është për mbrojtje të familjes
Për herë të parë pas shumë vitesh, shteti po vendos interesin e qytetarëve para interesit të industrisë së kumarit, thonë nga VLEN. Sipas tyre, qeveria po ndërmerr hapa konkretë për të vendosur rend, përgjegjësi dhe mbrojtje reale për familjet, të rinjtë dhe të ardhmen e shoqërisë sonë.


“Ligji i ri për lojërat e fatit nuk është thjesht një masë kundër kazinove. Ky është një ligj në mbrojtje të familjes shqiptare dhe të çdo qytetari që për vite me radhë ka parë sesi kumari ka shkatërruar ekonomi familjare, ka cenuar të rinjtë dhe ka depërtuar pranë shkollave e lagjeve tona”, kanë deklaruar nga VLEN.


Çfarë po ndryshohet? 
Sipas Ligjit në fuqi, Neni 16 – Mjetet e gjeneruara mbi të gjitha bazat nga organizimi i lojërave të fatit dhe lojërave argëtuese do të përdoren për financimin e organizatave kombëtare të personave me aftësi të kufizuara, shoqatave të tyre dhe asociacioneve të tyre, shoqatave të qytetarëve për luftën kundër dhunës në familje dhe Kryqit të Kuq.


Ndërkaq, sipas Propozim-ligjit të ri, Neni 18 – Mjetet e paguara mbi të gjitha bazat nga organizimi i lojërave të fatit dhe lojërave argëtuese në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të përdoren për financimin e kategorive të cenueshme, personave të moshuar dhe të dobët, viktimave të dhunës në familje dhe personave me aftësi të kufizuara dhe nevoja të veçanta.


Çfarë po veprohet në raport me kreditë e shpejta?
Pas vendimit për t’ia hequr licencën subjektit financiar “CrediYes” dhe mbylljen e 40 filialeve të tij për shkak të shkeljeve ligjore, VLEN inkurajon institucionet shtetërore që me vendosmëri të vazhdojnë luftën kundër abuzimeve financiare dhe dukurive që dëmtojnë qytetarët.


“Veprimi i fundit i Ministrisë së Financave, dëshmon se shteti më në fund po merr masa konkrete kundër praktikave që për vite me radhë kanë dëmtuar qytetarët, veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta, duke i futur në cikël borxhesh, pasigurie financiare dhe varësie ekonomike”, thonë nga VLEN. 


Lojërat e fatit luajnë me fatin e qytetarëve 
Një nga shqetësimet më të rëndësishme në lidhje me kazinotë është potenciali i tyre për të nxitur varësinë dhe problemet e lojërave të fatit. Kazinotë mund të krijojnë shumë varësi dhe studimet kanë treguar se individët që luajnë në kazino kanë më shumë gjasa të zhvillojnë probleme financiare, problemet familjare dhe marrëdhëniet, madje edhe çështje të shëndetit mendor.


“Çdo mëngjesë kur dal nga shtëpia për të shkuar në punë, shpesh më rikujtohen tragjeditë e rënda të qytetarëve që ndodhin nëpër këto objekete. Kishte një rast para 5 – 6 muajëve që e nxorën të vdekur nga kazinoja dhe më në fund e mbuluan këtë rast sikur ka vdekur jashtë. Unë do ta përmendi edhe një rast nga rinia, pasi që një fëmijë 13 vjeçar ka marr flori  nga shtëpia në vlerë prej 10 mijë eurove dhe ka shkuar i ka harxhuar të gjitha në kazino, ndërsa rasti dytë  lidhet me një OJQ në Shkup ku i biri i përfaqësuesit  të kësaj shoqate i ka marr 3.500 euro, para që janë mbledhur si ndihmë për personat me nevoja të veçanta dhe i ka shpenzuar në kazino”, pati deklaruar më parë në konferencë për media, Jushi Emrullai, nga “Lëvizja Antibixhoz”.


Për fatin tonë të keq, në vendin tonë nuk duhet ndonjë incizim me dron apo përdorimi i navigacioneve për të gjetur kazinotë dhe këto shitoret e parave sepse janë shpeshtuar aq shumë në lokacione që mund të gjesh në çdo cep e në secilin qytetet.
Ekziston një shtrirje e gjithanshme dhe në lokacione shumë delikate e të rrezikshme për shoqërinë, posaçërisht për të rinjtë. Shembull, bastet dhe kazinotë hapen në lokacione përballë shkollave të mesme dhe kjo në mënyrë direkte u imponohet të rinjve duke qenë sa më tërheqës për ata.


Pothuajse në të njëjta lokacione po vendosen edhe “shitoret e parave” dhe me këtë ata po dëshmojnë se fokus grupet e tyre janë të rinjtë, sepse ata janë edhe në fazën ku kanë nevojë për para dhe janë prepotentë që të mashtrohen më lehtë.
Por, viktima të kazinove dhe fajdexhinjve legal nuk janë vetëm të rinjtë, në këto vende janë të ekspozuar edhe të rriturit e të moshuarit, dhe kjo është tregues që kemi të bëjmë me një “virus” të dukshëm të prekshëm e që në mënyre manipulative infekton qytetarët.


Kujtojmë që, me veprimet e fundit të ndërmarra ka shpresë se edhe këto vese negative të shoqërisë mund të marrin fund njëherë e përgjithmonë. /Zhurnal.mk
 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër