Shkup, 6 tetor Zhurnal.mk – Ish-kryetari i Komunës së Qendrës nga radhët e LSDM-së, Sasha Bogdanoviq, rikthehet në skenën politike me një parti të re – Lidhjen Demokratike Serbe.
Subjekti i ri politik më 9 tetor 2026 do të mbajë Kongresin e parë zgjedhor, duke filluar nga ora 18:00, në Sallën e Vogël të Filharmonisë në Shkup.
Sipas njoftimit për ngjarjen, në pjesën solemne para të pranishmëve do të drejtohet kryetari i Lidhjes Demokratike Serbe, Sasha Bogdanoviq, ndërsa janë paraparë edhe fjalime përshëndetëse nga mysafirë dhe partnerë të partisë.
Bogdanoviqi është ish-kryetar i Komunës së Qendrës dhe ish-funksionar i LSDM-së. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 u zgjodh kryetar i komunës si kandidat i LSDM-së, ndërsa më herët ishte kryetar i organizatës komunale të partisë në Qendër dhe drejtor i NP “Parkingjet e Komunës së Qendrës”.
Që në mars të këtij viti, Bogdanoviqi paralajmëroi publikisht formimin e Lidhjes Demokratike Serbe, duke theksuar se ai do të jetë kryetar i saj. Atëherë deklaroi se emri i partisë lidhet me organizimin politik të serbëve në këto hapësira që nga fillimi i shekullit të kaluar.
Në një intervistë të dhënë në mars, Bogdanoviqi deklaroi se partia e re nuk do t’u drejtohet vetëm pjesëtarëve të komunitetit serb, por do të kërkojë mbështetje nga qytetarë të të gjitha bashkësive etnike.
Me Kongresin e parë zgjedhor më 9 tetor, Lidhja Demokratike Serbe pritet të prezantojë zyrtarisht strukturat e saj partiake dhe veprimin e saj politik.
