Serafimovski në Strumicë: Ministria po punon aktivisht për stabilizimin e grumbullimit të perimeve

Nga D. V.
558 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore, Borçe Serafimovski, sot në Strumicë realizoi takime të ndara me përfaqësues të grumbulluesve të regjistruar – tregtarë dhe me prodhuesit e specit nga rajoni i Strumicës.

Në bisedën me grumbulluesit u hapën çështjet për dinamikën aktuale të grumbullimit, çmimet sipas klasës dhe destinimit të produktit, sasinë që mund të merret, mundësitë e eksportit dhe pagesën e rregullt ndaj prodhuesve të specit.

Në takim, ministri Serafimovski rikujtoi detyrimin që kushtet e grumbullimit të jenë të njohura paraprakisht, çmimet të jenë të shpallura publikisht, ndërsa klasifikimi i produktit të jetë i saktë dhe i qëndrueshëm.

“Çmimin e përcaktojnë kushtet e tregut, por mënyra se si zhvillohet grumbullimi duhet të jetë ligjore, transparente dhe e parashikueshme. Roli i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore është të dëgjojë argumentet e të gjitha palëve, të sigurojë respektimin e rregullave dhe të kontribuojë për një grumbullim të specit që e vlerëson punën e bujqve dhe mundëson plasman të pandërprerë”, theksoi ministri Serafimovski.

Në takimin e veçantë me prodhuesit e specit u dëgjuan vërejtjet dhe kërkesat e tyre të lidhura me çmimet fillestare të grumbullimit, kostot e prodhimit dhe pasojat e motit të keq mbi rendimentin e këtij viti.

Ministri Serafimovski theksoi se çdo bujk, pavarësisht nëse paraqitet individualisht apo përmes shoqatës, ka të drejtë që argumentet e tij të shqyrtohen me seriozitet dhe përgjegjësi.

“Pas çdo kilogrami të dorëzuar qëndrojnë investime, punë dhe të ardhura të një familjeje bujqësore. Prandaj, diskutimi për grumbullimin nuk guxon të reduktohet vetëm në shifra, por duhet të përfshijë edhe përgjegjësinë e secilit pjesëmarrës në zinxhir. Çdo bujk që përballet me problem real është bashkëbisedues legjitim”, tha ministri Serafimovski.

Ministri Serafimovski informoi se Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë vazhdon me kontrollet e përditshme në pikat e grumbullimit. Verifikohen kushtet për kryerjen e grumbullimit, shpallja publike e çmimeve, klasifikimi i produkteve, rregullsia e instrumenteve matës dhe rregullsia e dokumentacionit. Për çdo parregullsi të konstatuar për të cilën ka bazë ligjore do të merren masa të duhura.

Gjatë javës së ardhshme, ministri Serafimovski do të takohet edhe me pronarët e kapaciteteve përpunuese, me të cilët do të diskutojë për kapacitetet e disponueshme, sasinë e planifikuar për grumbullim dhe mundësitë për plasmanin e rendimentit të sivjetshëm të specit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër