Prishtinë, 12 maj Zhurnal.mk – Profesori amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Serwer, ka reaguar sërish lidhur me Gjykatën Speciale, duke ngritur shqetësime serioze për funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ai i referohet tani raportit paraprak të publikuar nga Avokati i Popullit i Kosovës për Dhomat e Specializuara, i përgatitur nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC).
Sipas Serwer, raporti ngre pikëpyetje serioze në disa fusha kyçe, përfshirë: lirimin e përkohshëm; të drejtën për një gjykatë kompetente, të pavarur dhe të paanshëm të themeluar me ligj; pranueshmërinë e provave, veçanërisht atyre të siguruara nga qeveria serbe; parimin e barazisë së armëve mes prokurorisë dhe mbrojtjes dhe parimin e ligjshmërisë.
Ai citon raportin, i cili vlerëson se ka zbuluar “shqetësime paraprake mjaft serioze për të kërkuar vëmendje dhe mjaftueshëm të dokumentuara për t’i rezistuar shpërfilljes.
Raporti, sipas tij, i referohet standardeve të Kushtetutës së Kosovës dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut , duke paralajmëruar edhe për ndikimin e mundshëm në “arkitekturën ende të brishtë të paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Në fund, raporti rekomandon monitorim të pavarur të proceseve gjyqësore.
Serwer thekson se raporti nuk e thotë drejtpërdrejt se një gjykatë që i ka kushtuar bashkësisë ndërkombëtare qindra miliona euro ka dështuar të japë drejtësi që përmbush standardet që kërkojnë qytetarët e Kosovës.
“Ajo që nuk thuhet është se një gjykatë që i kushton bashkësisë ndërkombëtare disa qindra milionë euro nuk ka arritur të ofrojë drejtësi që përmbush standardet që kërkon populli i Kosovës. Zgjidhja për këtë është e paqartë për mua. Por dënimi dhe burgosja e mëtejshme nuk do ta përmirësojnë reputacionin e drejtësisë ndërkombëtare askund tjetër përveçse në Serbi”, ka shkruar Serwer.
Gjykata Speciale ka mohuar gjetjet e raportit të ekspertëve britanikë, duke thënë se janë bërë pasaktësi në paraqitjen e përmbajtjes së raportit.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) janë institucion gjyqësor i pavarur. As Avokati i Popullit i Kosovës, as Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit nuk kanë të drejtën e paraqitjes së parashtrimeve në Dhomat e Specializuara”, thuhej në reagim.
