BE miraton rregulla për uljen e varësisë së importeve farmaceutike

Nga D. V.
581 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bashkimi Evropian ka arritur sot një marrëveshje për rregulla të reja që synojnë të lehtësojnë mbështetjen financiare publike për prodhimin e ilaçeve kritike, në përpjekje për të parandaluar mungesat e barnave në tregun evropian.

Përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe shteteve anëtare thanë se masat e reja synojnë forcimin e zinxhirëve të furnizimit farmaceutik dhe uljen e varësisë nga furnitorët e jashtëm, veçanërisht nga vendet aziatike.

Ministri i Shëndetësisë i Qipros, Neophytos Charalambides, deklaroi se marrëveshja përfaqëson “një hap praktik për të reduktuar dobësitë, për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit dhe për të forcuar kapacitetin e Europës për të prodhuar ilaçe kritike dhe përbërësit e tyre më pranë territorit europian”.

Rregullorja e re, e njohur si Akti për Ilaçet Kritike (Critical Medicines Act), duhet ende të marrë miratimin zyrtar nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare, megjithëse kjo konsiderohet zakonisht një procedurë formale pasi negociatorët kanë arritur kompromis.

Në vitet e fundit, qytetarët në vende të ndryshme të Europës janë përballur herë pas here me mungesa të barnave në farmaci, përfshirë qetësuesit e dhimbjeve, antibiotikët dhe ilaçet kundër temperaturës për fëmijë.

Një pjesë e rëndësishme e rregullave të reja lidhet me prokurimet publike, ku barnat e prodhuara në BE do të favorizohen në tenderët publikë për ilaçet kritike që varen nga një ose një numër i kufizuar vendesh furnizuese.

Marrëveshja parashikon gjithashtu procedura më të shpejta miratimi dhe akses më të lehtë në financime për projektet strategjike në sektorin farmaceutik.

Komisioni Evropian i përkufizon ilaçet kritike si barna për të cilat ka pak ose aspak alternativa dhe mungesa e tyre mund të shkaktojë pasoja serioze për pacientët. Në këtë kategori përfshihen antibiotikët, trajtimet kundër kancerit dhe ilaçet për sëmundjet kardiovaskulare.

Sipas Komisionit Europian, rreth 80% deri në 90% e ilaçeve të përdorura në Europë vijnë nga Azia, veçanërisht nga Kina, çka ka rritur shqetësimet për sigurinë e furnizimit me barna në rast krizash globale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër