Sfidat e librit, aroma e letrës përballë dritës së ekranit

Nga Xh M
732 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Në një botë të dominuar nga shpejtësia e internetit dhe ekranet që nuk fikën kurrë, marrëdhënia mes lexuesit dhe librit fizik po kalon në një fazë të re rezistence.

Përtej të qenit thjesht një mjet informimi, libri prej letre mbetet një eksperiencë shqisore. Shtëpitë botuese vërejnë se, përkundër parashikimeve digjitale, dëshira për të prekur dhe zotëruar faqen e shtypur po rilind, veçanërisht te brezat e rinj.

“Për librin akoma nuk ka rënë interesi. Kemi përherë vizitorë nëpër panaire, ka interes sidomos për librat e historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, për fjalorët sidomos, njerëzit duan ta kenë librin fizikisht edhe në shtëpi” – tha përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave, Nevin Demneri.

Libri kërkon kohë, durim dhe një lloj izolimi të shëndetshëm shpirtëror. Botues të tjerë pranojnë se jetojmë në një epokë tranzicioni sa i përket mënyrës se si konsumohet informacioni.

Ndryshimet në teknologji kanë prekur edhe “metodologjinë e leximit”. Megjithatë, optimizmi për leximin klasik mbetet i lartë.

“Ka ndryshimet e veta metodologjia e leximit. Është moment I përbotshëm ky ndryshim, por megjithatë neve na mban shpresa se leximi I librit, leximi klasik I librit nuk zëvendësohet dhe nuk mund të zëvendësohet, kjo është fakt, prandaj ne vazhdojmë me muzeun tonë të librit” – u shpreh Frano Kumri, “Botimet Fishta”.

Dhe ku më mirë se në panairin e librit mund të dëshmohet ky triumf i letrës? Ky organizim vjetor shërben si elementi i tretë i këtij ekuacioni një hapësirë fizike ku lexuesi besnik dhe libri i shumëkërkuar takohen në të njëjtin stacion, duke sfiduar çdo parashikim se teknologjia do ta vriste leximin tradicional.

“Panairat e librit janë vendi ideal ku arrijmë t’u prezantojmë lexuesve rëndësinë e leximit, rëndësinë e librit dhe se çfarë ia vlen të lexohet. Janë momentet ku lexuesi arrin të ketë kontakt më të afërt me librin,” – u shpreh përfaqësuesja e Shtëpisë botuese “Dukagjini”, Elma Maxhuni.

Në fund, beteja mes ekranit dhe faqes së shkruar nuk po humbet. Libri fizik vazhdon të jetojë, i mbrojtur nga të vetmit që nuk e braktisin kurrë: lexuesit e tij të palodhur.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër