Shkup, 18 korrik – Kryetari i Bashkësisë Islame Fetare të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu duket se është mjeshtër i ndërrimit të “kapelave” sa herë që ndërrojnë pushtetet. Nëse deri dje i thurrte lavde dhe punonte aktivisht në zgjedhje për BDI-në, sot i njëjti i thurr lavde VLEN-it. Kësaj radhe ndoshta përfundimisht do të zënë vend duatë e bekimet e tij, sepse u bë një punë shumë e madhe me legalizimin e medresesë “Isa Beu” në Shkup, shkruan “Zhurnal.mk”.
Gjatë ditës së djeshme krerët e VLEN vizituan Medresenë “Isa Beu” në Kondovë, për t’ua kumtuar vendimin e Qeverisë për miratimin e propozim-Ligjit për shkollat e mesme fetare me çka, pas katër dekadave, nxënësit e medresesë do të jenë të barabartë me çdo nxënës tjetër nga shkollat e mesme.
Kreu i BFI-së Shaqir Fetahu, ngjashëm sikur edhe tjera herë, nuk hezitoi, por shpejt e shpejt, doli t’i mirëpresë krerët e shqiptarëve në qeveri, duke thënë se edhe nxënësit e medresesë do të mund të kontribuojnë në ngritjen e vetëdijes morale dhe të ndjekin proces mësimor bashkëkohor.
Ai lavdëroi VLEN-in se me këtë ligj po mundëoshet që të gjithë ata që duan të ndjekin procesin edukativo arsimor të medresesë “Isa Beu”, janë të bindur se do të mund të vazhdojnë në të gjitha universitetet dhe fakultetet e vendit dhe jashtë vendit në përgjithësi.
Ligji në Kuvend pritet të kalojë para shtatorit, ndërsa diplomat do u njihen edhe nxënësve të cilët kanë përfunduar medresenë në të kaluarën.
Ajo që u vërejt në konferencën për shtyp është se Fetahu nuk e ka problem të thurrë lavde herë njërës palë e herë tjetrës palë. Dikur, derisa ishte myfti i Gostivarit i thurrte lavde Sulejman Rexhepit, ish kryetarit të BFI-së, por pastaj ia zuri vendin atij dhe u bë sikur gjithçka fillonte nga e para. Më pas, kur ishte në pushtet BDI-ja i thurrte lavde Ali Ahmetit e Talat Xhaferit. Këtij të fundit, si bashkëvendas aq shumë e lavdëroi për “legalizimin” e medresësë sa nuk e ngriti në qiellin e shtatë, por doli se puna nuk qenka ashtu siç ishte. Gjyklata e anuloi vendimin për legalizimin e Medresesë, dhe tani u desht sërish VLEN ta rregullojë punën e lënë për gjysmë të paraardhësve shqiptarë në qeveri.
Shaqir Fetahu, u angazhua edhe në zgjedhjet e fundit duke ndihmuar “Frontin Evropian”, sa që Taravari ishte zotuar se do ta shkarkojë atë menjëherë pasi hyri në qeveri. Kjo nuk ndodhi. Taravari tani shkoi te BDI-ja dhe Fetahu e ndërroi drejtimin, por jo edhe zanatin. Vazhdoi t’i thurrë lavde VLEN-it, jo pa arsye, sepse u kry një punë shumë e madhe. Por, a po bëhet Shaqir Fetahu nga një “duaxhi” i BDI-së në një “duaxhi” i VLEN-it dhe atë pa kërkuar falçje në publik.
Kreut të myslimanëve në Maqedoninë e Veriut nuk i ka hije të ndërrojë “çallmat” kaq shpesh. Ai duhet të ruaj autoritetin e vet e jo të bëhet pjesë e lojërave politike, sepse politikanët shkojnë e vijnë, por institucioni i BFI-së duhet të mbetet i palëkundur.
Është shumë e qartë se BFI duhet të bashkëpunojë ngushtë me qeveritarët në interes të komunitetit mysliman por edhe vetë jetës fetare në Maqedoninë e Veriut, por nuk duhet të lejohet që kreu i saj të bëhet vazal e “puthadorë” herë i një partie e herë i një tjetër partie. Krej me rëndësi është që Fetahu t’iu kërkojë falje shqiptrarëve pse aq shumë e lavdëronte pushtetin e kaluar, kur u pa se asgjë spaska qenë ashtu siç dukej!, shrkuan “Zhurnal.mk”.
