Shkup, 23 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, zhvilloi një takim me Nicole Varns, ushtruese e detyrës së shefes së Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u diskutua për prioritetet kryesore reformuese në drejtësi dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqëson një mbështetje të fuqishme për agjendën reformuese të Ministrisë së Drejtësisë, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ekspertiza amerikane dhe mbështetja institucionale kanë rëndësi të veçantë për zbatimin e reformave thelbësore që do të sigurojnë institucione më efikase, siguri më të madhe juridike dhe rezultate konkrete.
Theks i veçantë në takim iu kushtua reformës së legjislacionit penal. Ministri Shasivari theksoi nevojën për shfrytëzimin e përvojës dhe ekspertizës amerikane në këtë proces, me qëllim krijimin e zgjidhjeve moderne dhe efikase ligjore që do të kontribuojnë në parandalimin dhe sanksionimin më të suksesshëm të korrupsionit dhe kriminalitetit.
Në fokus të bisedimeve ishin edhe digjitalizimi i sistemit të drejtësisë, agjenda legjislative dhe forcimi i kapaciteteve institucionale, si segmente kyçe të procesit reformues.
Ministri Shasivari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-të, veçanërisht për kontributin në forcimin e institucioneve dhe luftën kundër krimit të organizuar transnacional.
Një rezultat konkret i këtij partneriteti është fillimi i zbatimit të projektit për mbështetjen e implementimit të Strategjisë Kombëtare për Drogat, i financuar nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL) pranë Departamentit Amerikan të Shtetit.
Të dyja palët konfirmuan gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes projekteve konkrete, ndihmës së ekspertëve dhe shkëmbimit të përvojave, me qëllim sigurimin e rezultateve të qëndrueshme dhe të matshme nga reformat.
Për Ministrinë e Drejtësisë, partneriteti strategjik me SHBA-të është më shumë se një bashkëpunim institucional. Ai përbën një mbështetje të rëndësishme për një agjendë reformuese, që ka për synim përfundimtar një sistem drejtësie funksional, të pavarur dhe efikas, në të cilin ligjet zbatohen në mënyrë konsekuente, institucionet marrin përgjegjësitë e tyre dhe qytetarët kanë besim te drejtësia.
