SHBA-ja ndalon importin e disa produkteve kanadeze, përshkallëzohet lufta tregtare

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Uashington, 9 shtator, Zhurnal.mk – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të ndalojnë importin e disa produkteve nga Kanadaja, përfshirë produktet e qumështit, alkoolin, verën, birrën, vodkën dhe motoçikletat, në një përshkallëzim të konfliktit tregtar mes dy vendeve.

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi dje urdhrat për ndalimin e këtyre produkteve.

Sipas vendimit, ato nuk do të lejohen të importohen në SHBA nga 29 shtatori.

Në listën e produkteve të ndaluara përfshihen, motoçikleta dhe mopedë; koncentrate të proteinave të hirrës së qumështit; disa lloje verërash; birra; vodka dhe pije të tjera alkoolike.

Trump e justifikoi vendimin me atë që e cilësoi si “diskriminim të vazhdueshëm ndaj tregtisë amerikane” nga Kanadaja.

Ministri kanadez i Tregtisë, Dominic LeBlanc, tha se qeveria po shqyrton masat e reja amerikane.

Ai theksoi se Kanadaja do të vazhdojë të mbrojë punonjësit, fermerët, familjet dhe bizneset kanadeze.

Masat e reja vijnë pasi Kanadaja vendosi më herët tarifa deri në 50% ndaj disa produkteve amerikane.

Trump gjithashtu, ka urdhëruar që produktet kanadeze të përjashtohen nga disa kontrata të prokurimit të qeverisë amerikane, duke thënë se Kanadaja nuk u jep kompanive amerikane akses të barabartë në tregun e saj.

Konflikti tregtar është përshkallëzuar prej disa muajsh.

Në gusht, administrata Trump vendosi tarifa deri në 50% për rreth 20 miliardë dollarë mallra kanadeze, përfshirë shkopinj hokeji, mobilje, mjaltë dhe verë.

Trump ka bërë gjithashtu deklarata të përsëritura se Kanadaja mund të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së, duke shkaktuar reagime të forta në Kanada.

artikuj të ndërlidhura