Shërbimet e reja sociale në vend, trajnime për kategoritë e rrezikuara sociale

Nga Xh M
503 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 maj Zhurnal.mk – Sot janë prezantuar rezultatet e pilot-projekteve për futjen e shërbimeve të reja sociale, të realizuara përmes mbështetjes së 25 organizatave të shoqërisë civile.

Projekti është zbatuar nga Ministria e Politikës Sociale, Rinisë dhe Demografisë në bashkëpunim me partnerë nga Austria, me fokus në mbështetjen e kategorive të rrezikuara sociale dhe integrimin e tyre në tregun e punës.

Në kuadër të projektit, një numër i madh të rinjsh nga kategoritë e cenueshme kanë ndjekur trajnime profesionale dhe pas përfundimit të tyre kanë marrë diploma të verifikuara, të cilat do t’u mundësojnë punësim dhe përfshirje më të lehtë në tregun e punës.

Suzana Trajkovska theksoi se rezultatet kanë qenë veçanërisht pozitive për vajzat e reja dhe personat me aftësi të kufizuara.

“Rezultate të shkëlqyera për vajzat e reja të moshës 15-24 vjeç nga kategoritë më të cenueshme dhe personat me aftësi të kufizuara, ku ofruam trajnime në 18 komuna me 14 organizata të tjera joqeveritare, dhe pas këtyre trajnimeve ato fitojnë profesione të verifikuara”, deklaroi Trajkovska.

Ndërkohë, Fatmir Sabriu bëri të ditur se këtë vit është rritur ndjeshëm numri i organizatave të mbështetura nga ministria.

“Këtë vit kemi lidhur 97 marrëveshje administrative për të mbështetur 97 organizata të reja të shoqërisë civile për ofrimin e shërbimeve sociale dhe krahasuar me vitin e kaluar, numri ishte vetëm 57. Sot numri i përfituesve është në rritje”, u shpreh Sabriu.

Përfaqësuesit austriakë të politikës sociale u shprehën të kënaqur me rezultatet e arritura, duke vlerësuar se mbështetja për organizatat joqeveritare kontribuon në krijimin e shërbimeve konkrete dhe profesionale për qytetarët nga kategoritë sociale më të rrezikuara.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër