Radovish, 19 maj Zhurnal.mk – Zjarri në deponinë e Radovishit vazhdon të jetë aktiv edhe në ditën e pestë me radhë, ndërsa ekipet kompetente po vazhdojnë përpjekjet për lokalizimin dhe shuarjen e plotë të tij.
Në terren po intervenojnë vazhdimisht ekipe me mekanizëm të rëndë, të cilat po hedhin shtresa dheu për të parandaluar përhapjen e zjarrit dhe tymit drejt zonave të banuara përreth.
Për shkak të seriozitetit të situatës dhe ndotjes së shtuar të ajrit, kryetari i komunës së Radovishit dhe komandant i Shtabit të Krizës, Lupçe Poçivalec, në koordinim me Qendra për Shëndet Publik – Shtip, u ka bërë apel qytetarëve të shmangin daljet e panevojshme në ambiente të hapura, veçanërisht në periudhat kur tymi është më i dendur.
Autoritetet rekomandojnë që qytetarët të mbajnë të mbyllura dritaret dhe dyert në shtëpi dhe ambiente pune, si dhe të mos përdorin klima dhe sisteme ventilimi që fusin ajër nga jashtë.
Po ashtu, rekomandohet që qytetarët të qëndrojnë sa më shumë në ambiente të mbyllura dhe, në rast të lëvizjes së domosdoshme jashtë, të përdorin maska mbrojtëse të tipit FFP2, FFP3 ose N95.
Thirrje të veçantë autoritetet kanë bërë për kategoritë më të rrezikuara, përfshirë fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, të cilët këshillohen të shmangin maksimalisht aktivitetet jashtë.
Gjithashtu rekomandohet që fëmijët të mos qëndrojnë në oborret e shkollave dhe kopshteve, ndërsa të shmangen aktivitetet sportive dhe rekreative në ambiente të hapura.
Apel është drejtuar edhe ndaj punëdhënësve që, aty ku ekziston mundësia, të organizojnë punë nga shtëpia ose të lirojnë nga detyrat e punës qytetarët që bëjnë pjesë në kategoritë e ndjeshme.
Institucionet shëndetësore paralajmërojnë qytetarët që në rast të simptomave si kollë, vështirësi në frymëmarrje, irritim të syve, djegie në fyt apo marramendje, të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.
Nga Komuna e Radovishit bëjnë të ditur se të gjitha shërbimet kompetente mbeten në terren dhe po vazhdojnë aktivitetet për shuarjen e plotë të zjarrit, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje për qetësi, kujdes dhe respektim të rekomandimeve të institucioneve.
