Shkroi në ChatGPT planet për përdhunimin dhe vrasjen e ish-të dashurës, OpenAI njofton FBI-në

Nga D. V.
619 e lexuar
A+ A-
Rivendos

OpenAI raportoi në FBI një 25-vjeçar nga Florida, pasi ky i fundit shkroi në ChatGPT plane të hollësishme për përdhunimin dhe vrasjen e ish-të dashurës.

Darren Zhou i shkroi chatbot-it se do ta vriste të dashurën deri në fund të muajit.

Sipas hetuesve, ish-analisti i një banke të njohur iu drejtua ChatGPT-së në mars për të diskutuar ndarjen nga lidhja gjashtëmujore.

Ai tregoi xhelozinë ndaj burrave që e rrethonin ish-partneren dhe dëshirën për t’u ribashkuar me të.

Mesazhet u shndërruan më pas në kërcënime për përdhunim dhe vrasje.

Kërcënimet e tij u zgjeruan dhe përfshinë edhe familjen e 21-vjeçares.

OpenAI lejon shqyrtimin e bisedave nga punonjësit dhe njoftimin e autoriteteve kur zbulohet një rrezik serioz për persona të tjerë.

Në maj, FBI-ja i dorëzoi Zyrës së Sherifit të Qarkut Palm Beach bisedat e Zhou-s gjatë dy muajve.

Një efektiv vlerësoi se mesazhet nuk ishin shpërthime të paqarta emocionale, por tregonin një model planifikimi.

Ish-e dashura tha se ishte ndarë prej tij për shkak të sjelljes së çrregullt, xheloze dhe kontrolluese.

Pas ndarjes, Zhou dyshohet se e përndoqi me telefonata, mesazhe dhe komunikime kërcënuese në rrjetet sociale.

Policia e arrestoi në maj, ndërsa ai u lirua pas dy ditësh kundrejt një garancie prej 100 mijë dollarësh.

Prokuroria e akuzoi për përndjekje të rëndë, kërcënime me shkrim për vrasje dhe përdorim të paligjshëm të telefonit celular.

Më 13 gusht, Zhou u deklarua fajtor për të tria akuzat dhe arriti një marrëveshje që e shmangu burgimin.

Gjykata e dënoi me tetë vjet mbikëqyrje nga shërbimi i provës dhe vendosi ndaj tij një sërë kufizimesh.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër