Paris, 30 qershor, Zhurnal.mk – Tre persona, mes tyre një biznesmen i njohur ukrainas dhe një fëmijë, mbetën të plagosur rëndë nga shpërthimi i një mjeti shpërthyes në hyrje të një ndërtese banimi në Monako, ndërsa autori i dyshuar u arratis në Francë, njoftuan autoritetet, raportoi AP.
Sulmi, i ndodhur dje në mbrëmje, tronditi principatën luksoze në bregdetin e Mesdheut.
Princi Albert II e cilësoi ngjarjen si “një akt të neveritshëm”, duke bërë të ditur se, të gjitha strukturat e sigurisë janë angazhuar për garantimin e rendit dhe zbardhjen e ngjarjes.
Ministri i Shtetit të Monakos, Christophe Mirmand deklaroi se autoritetet e Monakos dhe Francës po zhvillojnë kërkime intensive për kapjen e autorit, ndërsa motivi i sulmit mbetet ende nën hetim.
Sipas tij, shpërthimi ndodhi rreth orës 21:00 pranë hyrjes së një godine banimi afër kufirit me Francën.
Dy të rritur dhe një fëmijë u plagosën dhe u transportuan për mjekim në spitale në Francë.
Autoritetet thanë se i dyshuari kaloi kufirin në këmbë drejt Francës dhe u identifikua përmes kamerave të sigurisë në Monako dhe në qytetin francez fqinj, Beausoleil.
Një zyrtar i policisë franceze konfirmoi se forcat e rendit po kërkojnë autorin dhe po bashkëpunojnë me hetuesit e Monakos, pa dhënë detaje të tjera.
Mediet franceze BFM dhe portali ukrainas “Ukrainska Pravda” raportuan plagosjen e një manjati ukrainas të sektorit të ndërtimit, Vadym Iermolaiev.
Sipas “Ukrainska Pravda”, ai u vendos nën sanksione nga Ukraina në vitin 2023 për shkak të lidhjeve të dyshuara me Rusinë.
