Kinshasa, 5 qershor Zhurnal.mk – Shpërthimi aktual i virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos mund të ketë filluar që në janar të këtij viti, shumë muaj përpara se të identifikohej zyrtarisht. Këtë e ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili paralajmëroi se virusi ka pasur kohë të përhapet pa u zbuluar.
Sipas burimit The Guardian, që nga identifikimi i shpërthimit në mes të muajit maj, janë konfirmuar 344 raste me Ebola dhe 60 vdekje në Republikën Demokratike të Kongos. Në Ugandën fqinje janë regjistruar 15 raste të konfirmuara dhe një vdekje.
Sipas OBSH-së, masat reaguese ndaj këtij shpërthimi po përballet me sfida të mëdha. Një nga problemet kryesore është gjurmimi i kontakteve, një proces i domosdoshëm për kontrollimin e sëmundjeve infektive.
Aktualisht, vetëm rreth 45% e personave që kanë pasur kontakt me të infektuarit po monitorohen, ndërsa ekspertët vlerësojnë se kjo shifër duhet të kalojë 90% për të frenuar përhapjen e virusit, transmeton Gazeta Shneta.
Situata vështirësohet më tej nga pasiguria, zhvendosja e popullsisë dhe mosbesimi i disa komuniteteve ndaj autoriteteve shëndetësore.
Gjatë vizitës së tij në rajonin më të prekur, Tedros tha se disa banorë nuk besonin se Ebola ekziston dhe kishin frikë se përqendrimi te epidemia do të zvogëlonte burimet për shërbime të tjera shëndetësore.
Aktualisht nuk ekziston një vaksinë apo trajtim specifik për variantin Bundibugyo të virusit Ebola, i cili po shkakton këtë shpërthim.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se diagnostikimi dhe trajtimi i hershëm mund të rrisin ndjeshëm shanset për mbijetesë. Deri tani, disa pacientë në Kongo dhe Ugandë janë shëruar pas marrjes së kujdesit mjekësor në kohë.
