Shqipëria përmirëson rezultatet në PISA 2025, rritje në matematikë, shkencë dhe lexim

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 8 shtator, Zhurnal.mk – Nxënësit shqiptarë kanë shënuar përmirësim në të tre fushat e vlerësuara nga testi ndërkombëtar PISA 2025, krahasuar me rezultatet e vitit 2022.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro në një videomesazh të publikuar sot nga Bratislava ku po zhvillohet ministeriali i vendeve të OECD-së për publikimin e rezultateve të PISA 2025 tha se Shqipëria ka regjistruar rritje me 65 pikë në matematikë, 59 pikë në shkencë dhe 50 pikë në lexim.

Kummbaro tha se “testi PISA zhvillohet me nxënës 15-vjeçarë në rreth 90 vende të botës dhe synon të masë aftësinë e tyre për të përdorur njohuritë dhe aftësitë në situata të jetës reale. Në Shqipëri, në vlerësimin e vitit 2025 morën pjesë rreth 6 mijë nxënës”.

Sipas Kumbaros, rezultatet tregojnë përmirësim jo vetëm në raport me performancën e Shqipërisë në vitin 2022, por edhe në krahasim me vendet e rajonit.

“Ndërsa në shkencë dhe matematikë kryesojnë rezultatet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke lënë pas jo vetëm vende të rajonit tonë por edhe vende të tjera europiane – një rezultat që nuk është aspak moment për vetëkënaqësi, por gjithmonë e më shumë një dëshmi e progresit të vazhdueshëm në arsim dhe e punës që po bëhet çdo ditë në shkollat tona nga i gjithë sistemi arsimor, nga nxënësit, mësuesit por edhe prindërit”, tha ajo.

Kumbaro theksoi se këto rezultate duhet të shërbejnë si bazë për një analizë të thelluar dhe jo si arsye për vetëkënaqësi, duke nënvizuar nevojën për të vijuar punën për përmirësimin e performancës së nxënësve dhe mësuesve.

“PISA na ndihmon të rrisim performancën e nxënësve dhe mësuesve, por edhe të kuptojmë se si nxënësi i përdor në jetë ato që mëson në shkollë”, shprehet ministrja.

Sipas saj, progresi i evidentuar në PISA 2025 duhet parë si një nxitje për të ecur më tej në fushën e arsimit dhe jo si një krenari historike, duke e vendosur fokusin te rezultatet konkrete dhe te përmirësimi i vazhdueshëm i sistemit arsimor.

 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër