Shtatë të dyshuar të rinj për transportimin e marihuanës nga Maqedonia e Veriut në Serbi

Nga Xh M
816 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tabanoc, 17 gusht Zhurnal.mk – Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka zgjeruar hetimet për kontrabandën e marihuanës nga Maqedonia e Veriut në Serbi, duke përfshirë edhe shtatë të dyshuar të rinj.

Sipas Prokurorisë, hetimet e nisura në shkurt të këtij viti kanë zbuluar një rrjet më të gjerë të përfshirë në aktivitetet kriminale, ndërsa provat janë siguruar përmes veprimeve hetimore dhe bashkëpunimit me autoritetet serbe.

Të dyshuarit akuzohen për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogave narkotike, ndërsa dyshohet se kanë vepruar si pjesë e një grupi të organizuar kriminal gjatë periudhës 2025-2026.

Sipas hetimeve, grupi ka përdorur një kompani nga Shkupi, e licencuar për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, si mbulesë për aktivitetet e paligjshme.

Prokuroria njofton se pronarët e kompanisë kanë organizuar transportimin e marihuanës nga Maqedonia e Veriut në Serbi, duke përdorur automjete transportuese dhe dokumente doganore që tregonin se po transportoheshin mallra të zakonshme.

Droga fshihej mes produkteve ushqimore, tekstilit, jastëkëve dhe jorganëve, ndërsa automjetet drejtoheshin drejt pikës kufitare në Tabanoc.

Pas hyrjes në Serbi, marihuana magazinohej në zonën e Konjuhut pranë Krushevcit, ku ripaketohej dhe përgatitej për shitje të mëtejshme.

Sipas provave të deritanishme, e njëjta skemë është përdorur në të paktën pesë raste të ndryshme të transportimit të drogës.

Më 21 korrik 2026, Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë kundër gjashtë anëtarëve të grupit, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dy të dyshuar kanë pranuar fajësinë.

Gjykata Themelore Penale në Shkup i dënoi ata me burg prej tre vjetësh e gjashtë muajsh dhe tre vjetësh e tetë muajsh.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër