Prishtinë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Është shtuar numri i qytetarëve që po protestojnë para Kuvendit të Kosovës, me pankarta në duar dhe thirrje drejtuar deputetëve që të votojnë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, raporton Ekonomia Online.
Protestuesit janë mbledhur para objektit të Kuvendit që nga mbrëmja e së dielës, në kuadër të thirrjes së iniciativës “Jo në emrin tim”, e cila ka kërkuar që deputetët ta miratojnë projektligjin.
Ndërkohë, aktualisht është duke u mbajtur mbledhja e Komisionit për Legjislacion, ku po shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Pas përfundimit të shqyrtimit në Komision, nga ora 09:00 pritet të nisë seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku ky projektligj është pika e parë e rendit të ditës.
Po në orën 09:00, para Kuvendit është paralajmëruar edhe protesta e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me kërkesë për votimin e ndryshimeve ligjore.
