Sigurohen drutë për ngrohjen e shkollës në Sopot, nxënësit nesër kthehen në mësim

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 nëntor Zhurnal.mk – Pas tri ditësh bojkot, nxënësit e shkollës periferike në fshatin Sopot të Kumanovës nga nesër do të rikthehen në bankat shkollore. Kjo pasi, një ditë pas kronikës së TV21, janë siguruar drutë për ngrohjen e shkollës, përcjell TV21. Rreth 90 nxënës kishin bojkotuar mësimin për shkak të mungesës së druve për ngrohje, gjë që kishte bërë që temperaturat e ulëta në klasa të pamundësonin zhvillimin normal të procesit mësimor. Prindërit kishin kërkuar gjithashtu përmirësimin e kushteve infrastrukturore, pasi dyert dhe dritaret nuk mbyllen siç duhet, ndërsa shkolla nuk ka izolim të përshtatshëm.

Nga 16 shkollat fillore të Kumanovës, gjashtë prej tyre ende ngrohen me dru dhe koftorë. Në mesin e tyre është edhe shkolla periferike në Sopot, ku furnizimi me dru ishte vonuar edhe pse sezoni i ngrohjes kishte filluar.

Prindërit kishin paralajmëruar se bojkoti do të vazhdonte deri në sigurimin e druve dhe përmirësimin e kushteve elementare. Ndërkohë, përgjegjësja e shkollës kishte deklaruar se kërkesa për furnizim ishte adresuar me kohë, por pa marrë përgjigje konkrete.

Përveç mungesës së ngrohjes, shkolla përballet edhe me probleme të tjera. Muret janë të mykura, inventari i dëmtuar, ndërsa objekti nuk ka izolim të jashtëm. Përfaqësuesi i prindërve, Shaban Limani, kishte deklaruar se është siguruar një donacion prej rreth 130 mijë eurosh për renovimin e shkollës përmes TIKA-s, por projekti ka mbetur në pritje të pagesës prej rreth 10 mijë eurosh nga Komuna e Kumanovës.

Nga drejtoria e shkollës qendrore “Braça Ribar” në Tabanocë kishin thënë se vonesat në furnizim ishin shkaktuar nga ofertat e larta në tender, ndërsa Komuna e Kumanovës nuk iu përgjigj pyetjeve të TV21 lidhur me problemet në shkollë dhe donacionin për renovimin e saj.

Megjithatë, pas sigurimit të druve, nxënësit nesër do të kthehen në mësim, por ngrohja do të vazhdojë të bëhet me koftorë.

artikuj të ndërlidhura