Siljanovska-Davkova priti pjesëmarrësit e programit “Connection Oxford”

Nga Xh M
299 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 maj Zhurnal.mk – Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot priti pjesëmarrësit e përfshirë në programin “Connection Oxford”, Jay Jakub, drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Ekonominë e Ndërsjellë, Michael Ramsden, ligjërues, si dhe krijuesit e programit, Kostake Milkov, president i Institutit Ballkanik për Fe dhe Kulturë dhe Nada Milkova, drejtoreshë e shtëpisë botuese “Metanoja”.

Duke i falënderuar për vizitën, Siljanovska-Davkova, siç njoftojnë nga kabineti i saj, theksoi se programi akademik dhe kulturor “Connection Oxford” u mundëson studentëve maqedonas jo vetëm qasje në projektet më të reja hulumtuese, por edhe mundësi që personalisht të njihen me studiuesit. Për të, programi përfaqëson një urë lidhëse mes institucioneve të arsimit të lartë në Maqedoni dhe Oksfordit, si një nga universitetet më të vlerësuara në botë.

Mysafirët e njohën Siljanovska-Davkovën me hulumtimin lidhur me qëllimet themelore të biznesit, duke theksuar se qëllimi kryesor i biznesit nuk është krijimi i profitit, por gjetja e zgjidhjeve fitimprurëse për problemet e njerëzve dhe planetit, në vend që të përfitohet nga krijimi i problemeve për njerëzit dhe planetin. Në këtë kontekst, ata shpjeguan metrikën e re të fitimit për të gjithë aktorët në procesin e punës, pa pasoja negative për të punësuarit dhe me mbrojtje të mjedisit jetësor.

Bashkëbiseduesit, thuhet në komunikatë, kanë theksuar nevojën për përkushtim të veçantë ndaj të rinjve, si subjekte që mund të sjellin ndryshime pozitive shoqërore.

Programi “Connection Oxford” u iniciua nga Instituti Ballkanik për Fe dhe Kulturë në vitin 2011. Në kuadër të tij, më shumë se 100 profesorë, ligjërues dhe doktorantë nga Oksfordi kanë pasur mundësinë që në vend të prezantojnë hulumtimet e tyre në fushat e fizikës, kimisë, mjekësisë, inteligjencës artificiale, filozofisë, etikës, letërsisë, biznesit dhe historisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër