Sonte nis muaji i Shenjtë i Ramazanit, BFI publikon udhëzimet zyrtare për besimtarët

nga admin

Shkup, 18 shkurt – Me perëndimin e diellit këtë mbrëmje nis muaji i shenjtë i Ramazanit – muaji i agjërimit, përkushtimit dhe mëshirës. Dita e parë e agjërimit do të jetë të enjten, më 19 shkurt, ndërsa namazi i parë i teravisë do të falet sonte, më 18 shkurt.

Sipas kalendarit islam, Ramazani është muaji i nëntë dhe konsiderohet një nga periudhat më të rëndësishme për besimtarët myslimanë. Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe paraqet obligim për çdo burrë dhe grua myslimane të rritur, duke filluar nga agimi deri në perëndim të diellit. Në këtë muaj filloi edhe shpallja e Kuranit, në Natën e Kadrit – nata më e bekuar e vitit.

Muaji i Ramazanit do të përmbyllet me festën e Fitër Bajramit, e cila sivjet bie të premten, më 20 mars.

Udhëzimet e Bashkësisë Fetare Islame

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut (BFI) ka njoftuar se namazi i teravisë në të gjitha institucionet fetare do të falet me 20 rekate.

Po ashtu, BFI ka theksuar se xhamitë që planifikojnë realizimin e aktiviteteve të ndryshme gjatë Ramazanit duhet të marrin leje paraprake nga organet përkatëse, ndërsa ftesa për mysafirë duhet të bëhet vetëm pas miratimit nga Myftinia.

“Nëpunësit fetarë duhet të jenë të pajisur me autorizim nga Myftinia përkatëse ose me dekret nga Reisul-Ulema i BFI-së së RMV-së. Mysafirët – teologët nga jashtë vendit – duhet të ftohen përmes Myftinive përkatëse dhe Rijasetit të BFI-së”, thuhet në kumtesën zyrtare.

Sadekatul Fitri dhe Zekati

Ramazani lidhet ngushtë edhe me dhënien e sadekatul fitrit – lëmoshë obligative për çdo besimtar që ka mundësi materiale. BFI ka bërë të ditur se shuma e sadekatul fitrit do të ndahet në katër kategori: 600, 500, 400 dhe 300 denarë.

Rekomandohet që zekati dhe sadekatul fitri të jepen në fondin për mirëmbajtjen e institucioneve arsimore fetare, përkatësisht Medresesë “Isa Beu” dhe Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup.

Orari i Faljeve në Shkup

Në Shkup, namazi i parë i teravisë do të fillojë në ora 18:43, ndërsa netëve të tjera teravitë do të falen rreth dy orë pas iftarit.

Ndërkohë, namazi i sabahut gjatë muajit të Ramazanit do të falet 30 minuta pas imsakut.

BFI gjithashtu ka paralajmëruar se gjatë këtij muaji do të bëhet edhe hapja e një xhamie të re në Shkup.

postime të lidhura

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy