Stokholm, 6 maj, Zhurnal.mk – Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier u bëri thirrje sot Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbeten një forcë e besueshme brenda NATO-s, ndërsa tensionet transatlantike janë rritur sërish, për shkak të planeve të administratës Trump për të tërhequr mijëra trupa nga Gjermania brenda një viti.
“Aleatët evropianë të NATO-s janë të gatshëm të marrin më shumë përgjegjësi brenda aleancës së mbrojtjes”, tha Steinmeier gjatë një vizite në Stokholm.
Megjithatë, sipas tij, ata ende kanë nevojë për mbrojtjen amerikane. “Aleatët evropianë të NATO-s duhet të mbështeten te SHBA-ja”, tha Steinmeier.
“I vetmi sinjal që mund dhe duhet të japim është ky, sa më pak trupa amerikane të ketë në Evropë, aq më shumë duhet të bëjë Evropa për veten”, tha presidenti gjerman pas njoftimit të Uashingtonit për të tërhequr trupa nga Gjermania.
Njoftimi amerikan erdhi në një kohë kur Trump reagoi ashpër ndaj komenteve të kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili akuzoi Uashingtonin për mungesë të një strategjie të qartë ndaj Iranit.
Pentagoni bëri të ditur të premten, se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth kishte urdhëruar tërheqjen e rreth 5 000 ushtarëve amerikanë nga bazat në Gjermani.
Megjithatë, Trump u tha gazetarëve të shtunën se numri do të ishte më i lartë.
Uashingtoni besohet gjithashtu se po planifikon të anulojë dislokimin e raketave me rreze të mesme në Gjermani.
Për dekada me radhë, në Evropë kanë ekzistuar dhjetëra baza të mëdha ushtarake amerikane – me rëndësi të madhe për operacionet globale të SHBA-së, përfshirë Lindjen e Mesme.
Në Gjermani, ndër më të rëndësishmet janë Komanda Evropiane e SHBA-së në Shtutgart dhe baza ajrore “Ramstein” në landin perëndimor Rheinland-Pfalz, e cila shërben si një qendër kyçe për Forcat Ajrore amerikane.
Sipas të dhënave ushtarake amerikane të muajit prill, rreth 86 000 trupa amerikane janë të stacionuara në Evropë, përfshirë rreth 39 000 në Gjermani.
Ky numër ndryshon rregullisht, pjesërisht për shkak të rotacioneve dhe manovrave ushtarake.
