Bombardues strategjikë amerikanë ‘B-52’ dhe avionë luftarakë japonezë ‘F-35’ dhe ‘F-15’ zhvilluan një stërvitje të përbashkët ushtarake mbi ujërat midis Japonisë dhe Koresë së Jugut, në një demonstrim të fuqisë ajrore dhe bashkëpunimit mes dy aleatëve. Stërvitja u mbajt të mërkurën, ndërsa tensionet në rajon vijojnë të rriten për shkak të lëvizjeve ushtarake të Kinës.
Sipas Shtabit të Përbashkët të Japonisë, ushtrimet vijnë në një moment kur “mjedisi i sigurisë rreth vendit po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm”. Aleatët, theksoi ai, ritheksuan vendosmërinë për të parandaluar çdo përpjekje për të ndryshuar me forcë ‘status quo-në’ në rajon.
Stërvitja erdhi vetëm një ditë pasi bombarduesit kinezë dhe rusë kryen fluturime të përbashkëta pranë Japonisë perëndimore, duke detyruar Tokion të ngrejë avionët e tij luftarakë, megjithëse nuk pati shkelje të hapësirës ajrore. Të shtunën, avionë ushtarakë kinezë bllokuan radarët e avionëve japonezë, një veprim i konsideruar provokues dhe potencialisht përgatitor për sulm, duke acaruar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Marrëdhëniet Tokio-Pekin janë tensionuar edhe më tej pasi kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, deklaroi se vendi i saj mund të ndërhyjë ushtarakisht, nëse Kina vepron kundër Tajvanit. Ndërkohë, stërvitjet e fundit kineze me aeroplanmbajtëse pranë Japonisë jugore kanë shtuar shqetësimet për sigurinë.
SHBA ka shprehur mbështetje të plotë për Japoninë, duke nënvizuar se aleanca e tyre është “e palëkundur” dhe duke kritikuar manovrat kineze si të dëmshme për paqen dhe stabilitetin rajonal.
Kina ka mohuar akuzat japoneze, duke pretenduar se avionët japonezë ishin ata që ndërhynin dhe rrezikonin stërvitjet e saj.
Ushtrimet e përbashkëta japonezo-amerikane konsiderohen si një përgjigje e qartë ndaj rritjes së aktivitetit ushtarak të Kinës dhe Rusisë, ndërsa rajoni i Paqësorit Lindor po përballet me një mjedis gjithnjë e më të tensionuar.

