Strasburgu i tha “jo” edhe një kandidati nga lista e kandidatëve të propozuar nga Maqedonia për gjyqtar në GJEDNJ

Nga Xh M
657 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Strasburg, 26 gusht Zhurnal.mk – Një rotacion i ri dhe një tjetër shtyrje në procedurën për zgjedhjen e gjyqtarit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Paneli këshillues i ekspertëve pranë Këshillit të Evropës e ka kthyer mbrapsht propozimin e Komisionit maqedonas që Ana Dangova Hug të jetë njëra nga tre kandidatet e propozuara për gjyqtare në Strasburg.

Në Këshillin e Evropës do të dërgohet një emër i ri – avokatja Jelena Ristiç, konfirmoi për Telma kryetari i Gjykatës Kushtetuese, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Komisionit.

„Pas marrjes së njoftimit nga Ministria e Punëve të Jashtme se paneli i ekspertëve kishte vlerësuar se kandidatja e tretë e propozuar, avokatja Dangova, nuk i plotëson në tërësi kriteret e Këshillit të Evropës për gjyqtare në GJEDNJ, Komisioni mbajti takim më 20 gusht dhe njëzëri vendosi që avokatja Ristiç të jetë kandidatja e re“, tha Kostadinovski.

Procedura për zgjedhjen e gjyqtarit maqedonas në GJEDNJ ka nisur para rreth një viti e gjysmë dhe që atëherë është shoqëruar me pengesa dhe polemika të shumta.

Komisioni i parë propozoi gjyqtaren Gabriela Gajdova, prokuroren Lençe Ristovska dhe avokatin Jordan Apostollski, por Qeveria, para se lista të dërgohej në Këshillin e Evropës, e anuloi atë me arsyetimin e shkurtër se kandidatët nuk i plotësonin kushtet.

Qeveria më pas formoi një komision të ri, të kryesuar nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ku bëjnë pjesë edhe kryetarët e Gjykatës Supreme, Gjykatës Penale dhe Gjykatës Civile, si dhe drejtoresha e Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë.

Në nëntor të vitit të kaluar, ky komision, së bashku me Apostollskin, propozoi edhe avokaten Natasha Boshkova dhe dekanin e Fakultetit Juridik „Justiniani i Parë“, Sasho Georgievski.

Në maj u bë e ditur se sërish duhej të propozohej një kandidat për vendin e Apostollskit dhe u propozua Dangova. Tani, për herë të tretë, lista është ndryshuar dhe nga kjo listë Këshilli i Evropës duhet të zgjedhë gjyqtarin maqedonas në GJEDNJ.

Kostadinovski pajtohet se procedura ka zgjatur tepër dhe shpreson se këtë herë do të përfundojë me zgjedhjen e një gjyqtari, nëse jo në sesionin e tetorit të Këshillit të Evropës, atëherë në janar.

„Është e saktë që procedura është zgjatur shumë. As unë nuk e prisja këtë. Shtyrja ka disa arsye, ndër to edhe shpejtësia me të cilën punon paneli i ekspertëve. Ne si Komision reagojmë menjëherë kur ka ndonjë vërejtje dhe menjëherë propozojmë kandidat të ri. Por, në përgjithësi, duke llogaritur edhe punën e komisionit të parë dhe të këtij komisioni, procedura po zgjat tepër“, tha Kostadinovski.

Gjyqtari Jovan Ilievski, i cili duhej të largohej nga Strasburgu në fillim të këtij viti, do të qëndrojë atje deri në zgjedhjen e pasuesit të tij.

Për ndryshimin e ri, Telma mësoi nga burimet e veta, ndërsa Komisioni, i cili mori vendimin më 20 gusht, nuk e informoi publikun, ndryshe nga praktika e mëparshme.

Kostadinovski thotë se Komisioni ka vendosur që këtë herë procedura të zhvillohet në mënyrë më diskrete dhe të mos bëhen publike ndryshimet, duke u bazuar në përvojat e disa vendeve të tjera, ku paneli i ekspertëve është përballur me ankesa dhe vërejtje të shumta ndaj të gjithë kandidatëve të propozuar, gjë që e ka ngarkuar më tej procesin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër