Subvencionet për bujqësinë mbi 9 miliardë denarë që shënojnë kthesën e munguar prej vitesh!

nga I.A

Shkup, 25 qershor – Në një vend ku bujqësia ka qenë tradicionalisht shtylla e mbijetesës ekonomike për mijëra familje, investimi i drejtpërdrejtë prej mbi 9 miliardë denarësh nga ana e Qeverisë, si subvencione të prapambetura dhe aktuale për bujqit, paraqet një zhvillim të rëndësishëm me ndikim të shumëfishtë ekonomik, social dhe strukturor. Sepse, secili prej nesh jemi dëshmitarë që në krizën më të vogël kudo në botë pasojat implikohen edhe në vendin tonë, duke qenë vend importues edhe i produkteve bujqësore si pasojë e mos prodhimit të mjaftueshëm që për rrjedhë ka mungesën e përkrahjes së duhur nga ana institucionale, shkruan Zhurnal.

Qeveria kthen fokusin te bujqit 9 miliardë denarë subvencione –

Kjo shumë, e përmendur zyrtarisht nga vetë Qeveria në një kumtesë publike, përbën një infuzion financiar në sektorin bujqësor një sektor i cili për vite të tëra ka vuajtur nga mungesa e përkrahjes, vonesat e qëllimshme dhe trajtimi selektiv.

“Mbi 9 miliardë denarë shkojnë drejtpërdrejt në xhepat e bujqve. Detyrimi ynë si Qeveri është që subvencionet të paguhen në kohë dhe në mënyrë joselektive,” thuhet në kumtesën qeveritare.

Ky pozicionim nuk është thjesht një statistikë burokratike. Ai është një deklaratë politike dhe ekonomike, që synon të vendosë një standard të ri në mënyrën se si institucionet trajtojnë bujqit jo më si përfitues pasivë të ndihmës shtetërore, por si partnerë aktivë në zhvillimin ekonomik.

Për shumë vite, subvencionet ndaj bujqve janë përdorur si instrument politik, shpesh i vonuar dhe i manipuluar në prag zgjedhjesh. Pasojat ishin të qarta rënia e prodhimit, rritja e varësisë nga importi, braktisja e tokës dhe demotivimi i brezave të rinj për të vijuar traditën bujqësore. Qeveria aktuale, përmes pagesës së kësaj shume rekord brenda një viti, jo vetëm që ka shlyer borxhe të trashëguara, por ka dhënë sinjalin për një paradigmë të re.

“Me këtë ne i ndihmojmë drejtpërdrejt bujqit dhe e nxisim rritjen e prodhimit bujqësor, me qëllim që ata të përgatiten për vitin e ardhshëm ndryshe nga më parë, kur, për shkak të mosshlyerjes së subvencioneve dhe vonesave, kishim rënie të prodhimit,” thekson më tej kumtesa.

Në këtë mënyrë, subvencionet nuk shihen më si një shpërblim politik apo si kompensim për humbje, por si një mjet strategjik për zhvillimin rural, qëndrueshmërinë e prodhimit vendor dhe forcimin e sigurisë ushqimore.

Qeveria synon që përmes kësaj politike të ndërtojë themelet e një Maqedonie bujqësore të së ardhmes një shtet ku bujqësia nuk mbetet në hije të industrisë ose sektorit të shërbimeve, por shndërrohet në motor të rritjes ekonomike. Vëmendja ndaj sektorit nuk është vetëm retorikë, por e shoqëruar me instrumente konkrete financiare dhe një diskurs të ri publik që e vendos fermerin në qendër të zhvillimit.

Por, përtej entuziazmit të shifrave, mbetet e domosdoshme të shtrohen disa pyetje kritike:

  • Sa efikase do të jetë shpërndarja e këtyre subvencioneve në terren?
  • A do të ketë transparencë dhe kontroll në mënyrën e shfrytëzimit të tyre?
  • A do të lidhen subvencionet me performancën bujqësore dhe qëndrueshmërinë mjedisore?
  • Dhe më e rëndësishmja a do të pasohet kjo politikë me masa strukturore për modernizimin e bujqësisë, digjitalizimin, qasjen në treg dhe rininë rurale?

Sepse subvencionet janë vetëm një pjesë e mozaikut. Bujqësia ka nevojë për infrastrukturë moderne ujitjeje, qasje të lehtë në kredi, zinxhir të sigurt shitjeje, edukim bujqësor dhe mbi të gjitha një strategji të integruar zhvillimi rural.

Megjithatë, ky është një fillim i duhur ndoshta më i miri në dekadën e fundit. Dhe nëse kjo politikë vazhdon me përkushtim, pa ndërprerje dhe pa kthim prapa, atëherë koha e bujqve mund të bëhet realitet, e jo vetëm një slogan politik. Në fund të fundit, një shtet që investon në bujq, investon në vetë themelet e ekzistencës së tij. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More