Shkup, 29 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Kulturës dhe i Turizmit, Sedat Sulejmani, zhvilloi takim dypalësh me zëvendëskryeministren e Republikës Sllovake dhe ministren e Kulturës, Martina Shimkoviçova, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në vend. Gjatë takimit u nënshkrua Marrëveshje e re për bashkëpunim në fushën e kulturës, e cila hap mundësi të reja për avancimin e shkëmbimit kulturor dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve.
Në takim, siç kumtoi Ministria e Kulturës, në atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, u diskutua për marrëdhëniet e mira dypalëshe, të cilat bazohen në besimin e ndërsjellë dhe miqësinë e sinqertë, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe turizmit.
Ministri Sulejmani e falënderoi Sllovakinë për mbështetjen e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke shprehur bindjen se ekzistojnë mundësi të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fushën e kulturës.
Ai theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes së re përfaqëson hap të rëndësishëm drejt shkëmbimit më intensiv ndërmjet institucioneve kulturore, artistëve dhe punonjësve të kulturës nga të dyja vendet, si dhe krijon mundësi për realizimin e nismave të reja.
Ministrat diskutuan për bashkëpunimin në të gjitha fushat e kulturës, me theks të veçantë në programet për fëmijë dhe nxitjen e kreativitetit të tyre. Gjatë takimit u nda edhe përvoja pozitive e Sllovakisë në funksionimin e suksesshëm të një institucioni të tillë.
Ministri Sulejmani përshëndeti hapjen e lektoratit të gjuhës maqedonase në Universitetin „Konstantin Filozof“ në Nitra në vitin 2025, duke theksuar rëndësinë e tij për afirmimin e gjuhës maqedonase dhe afrimin e komuniteteve akademike dhe kulturore.
Bashkëbiseduesit theksuan gjithashtu rëndësinë e aktiviteteve të përbashkëta në kuadër të rrugës kulturore europiane të Shën Kirilit dhe Metodit, përmes ekspozitave, tubimeve shkencore dhe ngjarjeve të tjera kushtuar promovimit të trashëgimisë së përbashkët kulturore europiane.
Si mundësi konkrete për thellimin e lidhjeve kulturore, u shqyrtua organizimi i Ditëve të kulturës sonë në Sllovaki dhe i Ditëve të Kulturës Sllovake në Maqedoninë e Veriut, si dhe vendosja e partneriteteve të drejtpërdrejta ndërmjet institucioneve kulturore dhe organizatorëve të ngjarjeve kulturore.
Në takim u shkëmbyen gjithashtu përvoja lidhur me organizimin e manifestimit „Kryeqyteti Europian i Kulturës“, duke pasur parasysh se qyteti sllovak Trençin e mban këtë titull në vitin 2026, ndërsa Shkupi është paraparë të jetë Kryeqyteti Europian i Kulturës në vitin 2028.
Gjatë bisedimeve u trajtua edhe mundësia e avancimit të bashkëpunimit në fushën e turizmit, përmes shkëmbimit të përvojave dhe promovimit të potencialeve turistike të të dyja vendeve.
Në fund të takimit, bashkëbiseduesit konfirmuan gatishmërinë për zhvillimin e nismave konkrete dhe partneriteteve të reja, të cilat do të lidhin institucionet kulturore, artistët dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë.
