Tabaku: Raportimi në komisione për buxhetin, vetëm në nivel ministrash

nga D. V.

Kryetarja e komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku kërkoi sot që për diskutimet lidhur me projektbuxhetin 2026 të respektohet rregullorja e Kuvendit, e cila detyron ministrat e linjës të raportojnë në komisione.

Në kuadër të projektbuxhetit 2026, komisioni kishte në rend dite seancë dëgjimore me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe institucionet e varësisë.

Ndërsa në mbledhje u paraqitën dy zëvendësministret e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe drejtues të institucioneve të varësisë, Tabaku kërkoi prezencën e ministres Evis Sala në komision.

“Kemi kërkuar që në këtë komision të raportojë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Nuk është kërkesë e imja personale, por është detyrim që vjen nga zbatimi i rregullores. Ka fusha shumë të rëndësishme duke nisur me zbatimin e ligjit të barazisë gjinore, duke vazhduar me të drejtat e pensionistëve, çështjet e minimit jetik që lidhen me fushën e këtij komisioni”, tha Tabaku.

Në cilësinë e kryetares së komisionit, ajo kërkoi që brenda datës 9 dhjetor, të caktohet një orar tjetër për të zhvilluar dëgjesën me ministren Sala.

“Duhet të jemi të dyja palët dakord dhe të vendosim një standard për cilësinë e komisionit”, tha Tabaku.

Nga ana e saj, deputetja e Partisë Socialiste Iris Luarasi u shpreh se dëgjesa për buxhetin është e rëndësishme dhe do të ishte ishte mirë të ishte ministrja e pranishme.

Por sipas saj, fakti që në komision kanë ardhur dy zv/ministre dhe drejtuesit e institucioneve të linjës, mbledhja duhet të vazhdojë.

Në përfundim, Tabaku mbylli mbledhjen e komisionit, ndërsa u shpreh se nëse mazhoranca do ta vazhdojë mbledhjen në mënyrë të njëanshme, mund të dorëzojë kërkesën bashkë me firmat në Sekretarinë e Kuvendit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More