Shkup, 29 maj, Zhurnal.mk – Transformimi digjital në Shqipëri ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku inovacioni teknologjik, inteligjenca artificiale dhe shërbimet publike të aksesueshme po rimodelojnë marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarëve.
Në aktivitetin për prezantimin e Albanian Digital Solution Sh.A., ku i pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKShI), Igli Tafa vlerësoi punën e vazhdueshme të ekipeve teknike dhe profesionistëve që kanë kontribuar në ndërtimin e ekosistemit digjital në vend.
Sipas Tafës, pas çdo shërbimi që sot ofrohet online dhe çdo procesi administrativ, qëndron një punë e gjatë, e vazhdueshme dhe një angazhim i përditshëm i specialistëve të teknologjisë së informacionit.
“Njerëzit janë themeli i transformimit digjital. Punonjësit, drejtuesit, teknikët dhe ekspertët që punojnë çdo ditë për funksionimin e sistemeve kanë ndërtuar hap pas hapi këtë realitet të ri digjital”, u shpreh ai.
Një nga zhvillimet kryesore të prezantuara është platforma e-Albania 2.0, e cila sjell përmirësime të rëndësishme në përdorueshmëri, siguri dhe aksesueshmëri.
Tafa tha se “platforma e re mundëson për herë të parë përdorim më të pavarur të shërbimeve online për personat me aftësi të kufizuara, ndërsa për bizneset sjell funksionalitete të reja në administrimin e autorizimeve për përdorimin e shërbimeve elektronike në emër të subjekteve tregtare”.
“Për bizneset, e-Albania 2.0 sjell një funksionalitet të ri dhe të shumëpritur: menaxhimin e autorizimeve për delegimin e përkohshëm të shërbimeve online. Kjo do të thotë se administratorët e bizneseve mund të autorizojnë punonjës apo përfaqësues të përdorin shërbime elektronike në emër të biznesit të tyre, drejtpërdrejt nga portali e-Albania.
Platforma gjithashtu optimizon procesin e autentifikimit, duke ofruar forma më fleksibël dhe më të sigurta të verifikimit të identitetit, përtej metodave tradicionale të konfirmimit”, tha ai.
Drejtori i AKShI-t nënvizoi se në fokus të zhvillimeve të fundit është vendosur edhe Diella, asistentja virtuale e portalit e-Albania, e ndërtuar mbi teknologjitë e inteligjencës artificiale.
Sipas tij, Diella përfaqëson një hap konkret drejt integrimit të inteligjencës artificiale në administratën publike, duke e pozicionuar Shqipërinë si pjesë aktive të zhvillimeve globale në këtë fushë.
“Diella nuk është thjesht një eksperiment teknologjik. Ajo është dëshmi konkrete se Shqipëria po ndjek revolucionin e inteligjencës artificiale jo si spektatore, por si një aktore aktive, që ndërton, teston dhe zbaton zgjidhje inovative në funksion të qytetarëve. Ky vizion nuk është ndërtuar në izolim. Projektet e përbashkëta kanë krijuar ura bashkëpunimi që lidhin Shqipërinë me standardet më të larta ndërkombëtare të zhvillimit digjital”, nënvizoi Tafa.
Transformimi digjital, sipas Tafës, mbetet një proces në zhvillim të vazhdueshëm, me fokus ndërtimin e shërbimeve publike më efikase, institucioneve moderne dhe një administrate më pranë qytetarit.
