Tetovë, 29 gusht Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Fatih Ulusoy.
Kasami tha se gjatë takimit e ka falënderuar ambasadorin turk për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i ka dhënë vendit gjatë mandatit të tij.
“Nder dhe kënaqësi që sot në Komunën e Tetovës, në takimin lamtumirës, të mirëpres ambasadorin e Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shkëlqesinë e tij Fatih Ulusoy, të cilin e falënderova për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i ka dhënë vendit tonë”, deklaroi Kasami.
Sipas kryetarit të Tetovës, në fokus të bashkëpunimit mes dy vendeve kanë qenë vazhdimisht lidhjet ekonomike dhe kulturore, si dhe investimet.
“Lidhjet ekonomike, kulturore, investimet mes dy vendeve kanë qenë gjithmonë në fokusin e bashkëpunimit dhe ambasadori Ulusoy ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë drejtim”, tha Kasami.
Ai shprehu mirënjohje për kontributin e ambasadorit Ulusoy dhe për mbështetjen e Turqisë ndaj Maqedonisë së Veriut.
“E falënderova ambasadorin për gjithçka që ka bërë ai dhe vendi i tij për ne”, u shpreh Kasami.
Kryetari i Tetovës tha se pret që bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë të vazhdojë dhe të thellohet edhe më tej me ambasadorin e ri.
“Shpresojmë se bashkëpunimi Maqedoni e Veriut–Turqi do të thellohet edhe më tutje me ambasadorin e ri”, përfundoi Kasami.
