Tarran takon Manjën, diskutime për legjislacionin në fushën e drejtësisë penale e kuadrin kundër korrupsionit

Nga D. V.
495 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ambasadori Michel Tarran u takua sot me Ulsi Manjën, kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike të Kuvendit të Shqipërisë, për të diskutuar bashkëpunimin në vijim mbi reforma kyçe legjislative dhe institucionale.

Diskutimi u përqendrua në disa procese të rëndësishme të reformës ligjore, përfshirë legjislacionin në fushën e drejtësisë penale, kuadrin kundër korrupsionit dhe ligjin e miratuar së fundmi “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”.

Ambasadori Tarran theksoi se Prezenca e OSBE-së ofroi komente të detajuara ligjore dhe kontribut ekspertësh gjatë procesit të konsultimit publik. Shumica e këtyre rekomandimeve u reflektuan në tekstin përfundimtar, duke kontribuar në një kuadër më gjithëpërfshirës dhe të përqendruar te viktima, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Manja shprehu vlerësimin për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Prezencës së OSBE-së dhe për cilësinë e lartë të komenteve ligjore, duke theksuar se ato janë të vlefshme për punën e Komisionit dhe për procesin e përgjithshëm legjislativ. Ai kërkoi që Prezenca të asistojë anëtarët e rinj të komisionit me trajnime dhe ngritje kapacitetesh mbi procedurat parlamentare dhe legjislative në këtë sesion të ri legjislativ.

Takimi trajtoi, gjithashtu, ecurinë e nismës për e-Legjislacionin, që synon rritjen e transparencës, gjurmueshmërisë dhe efikasitetit në procesin e hartimit të ligjeve. Manja theksoi rëndësinë e proceseve të tilla për përfitimet afatgjata dhe shprehu gatishmërinë e komisionit që ai drejton për t’u angazhuar më tej në përmirësimin e procesit dhe për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme për zbatimin me sukses të e-Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë.

Ambasadori Tarran rikonfirmoi gatishmërinë e Prezencës së OSBE-së për të vijuar bashkëpunimin dhe për të ofruar ekspertizë teknike dhe mbështetje këshillimore për Komisionin, si edhe për nevoja të tjera të Kuvendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër