Tiranë, 11 gusht, Zhurnal.mk – Të ardhurat doganore në muajin korrik të këtij viti arritën në 23,5 miliardë lekë, duke u rritur me rreth 223 milionë lekë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, performanca e të ardhurave në korrik është ndikuar nga rritja e disa prej zërave kryesorë të të ardhurave doganore.
Kontributin më të madh në rritjen e arkëtimeve e ka dhënë TVSH-ja, me një shtesë prej 108 milionë lekësh krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.
Në rritje ka qenë edhe renta minerare, e cila ka gjeneruar 51 milionë lekë më shumë, ndërsa akciza neto ka shënuar një rritje prej 48 milionë lekësh.
Ndërkohë, të ardhurat nga taksat doganore janë rritur me 19 milionë lekë.
Në total, këto zëra kanë kontribuar në rritjen e arkëtimeve doganore me rreth 226 milionë lekë, ndërsa rritja neto e të ardhurave të evidentuar nga Doganat është rreth 223 milionë lekë.
Sipas Doganave, rezultatet e korrikut vijojnë ecurinë pozitive të të ardhurave doganore gjatë vitit 2026, duke reflektuar performancën e zërave kryesorë të të ardhurave të administruara në kufi.

