Tenderi 385 mijë eurosh në “Eko Regjioni”, aktakuzë ndaj tre personave dhe një kompanie

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 10 shtator, Zhurnal.mk – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, B.Sh., A.G. dhe R.Z., si dhe ndaj subjektit juridik SH.P.K. “D.C & E”, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 7 qershor 2023 dhe gjatë periudhës 18 shtator–16 nëntor 2023, në Prizren, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, në bashkëkryerje me zyrtarin e kësaj kompanie, A.G., kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten dhe subjektin juridik SH.P.K. “D.C & E”.

A.G. dhe B.Sh. akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, pasi, sipas Prokurorisë, kanë krijuar mundësi në kundërshtim me legjislacionin e prokurimit publik që tenderin “Furnizimi me kamiona kompaktor dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Eko Regjioni’”, në vlerë prej 385,500 eurosh, ta përfitojë SH.P.K. “D.C & E”.

Prokuroria pretendon se nga këto veprime buxhetit të KRM “Eko Regjioni” i është shkaktuar dëm në shumën prej 233,685.37 eurosh.

Ndërkaq, R.Z. akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”.

Sipas aktakuzës, ai u ka paguar B.Sh. dhe A.G. shpenzimet e një udhëtimi jashtë territorit të Kosovës, me qëllim të koordinimit të veprimeve të kundërligjshme dhe ndikimit në dhënien e tenderit.

Prokuroria pretendon se R.Z. paraprakisht kishte arritur marrëveshje të kundërligjshme me të pandehurit, duke përshtatur specifikat teknike të tenderit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër